Buxheti 2022, Braçe bën propozimet: Hiqni favorizimet tek hotelet me 5 yje! Të çlirojmë tregun nga 10 ‘kartelët’ që caktojnë çmimet!

25/11/2021 11:51

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka folur sot për buxhetin e vitit 2022 dhe paketën fiskale, duke paraqitur para deputetëve të tjerë në Kuvend propozimet e tij lidhur me 10 amendamente.

Braçe u shpreh se ka propozuar që të përjashtohen kryesisht bizneset e mëdha nga lista fiskale, të cilët paguajnë vetëm 6% tvsh pasi sjellin të ardhura në bilancet e tyre.

Propozimi tjetër është për të hequr favorin e bërë në sektorin e ndërtimit për zonat rezidenciale dhe në bregdet. Braçe tha se duke vendosur TVSH për furnizimin me tokë dhe për shitjen e parë të ndërtesës ndalohet edhe zaptimi.

“Kam paraqitur mbi 10 amendamente në të 4 ligjet. Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar. Jemi ne që duhet të vendosim prioritet nga fillon radha e heqjeve të përjashtimeve, do ta nisim me të dobëtit, apo nga ata që mes favoreve akumolojnë para shumë. Kam kërkuar fillimin e përjashtimit të listës për përjashtimin e listës fiskale, të biznesit të madh kryesisht, që kanë sjellë të ardhura të mëdha në bilancet e tyre. Në ligjin e TVSH të propozoja heqjen e shkallës së reduktuar të shkallës 6% për të gjitha hotelet me 5 yje, sepse çdo furnizim nga letra higjienike deri te pijet paguajnë vetëm 6% tvsh. Kjo masë u mor në vitet të shkuara por mendoj se mjafton vetëm një favor, ajo që i kemi dhënë të drejtën për të organizuar lojëra fati që ja kemi hequr pjesës tjetër. Së dyti, përjashtimi i heqjes i furnizimit me tokë dhe ndërtesë në shitjen e parë për të gjitha zonat rezidenciale jashtë qyteteve dhe vijën bregdetare, të gjithë këtyre sipërmarrësve ju është bërë një favor, dhënia e statusit në këto zona dhe favori për zënien e territoreve të mëdha dhe është një shtëpi e blerë nga ata që kanë pasuri”, u shpreh Braçe.

Siç bëri në komisionin e Ekonomisë Braçe ka lexuar relacionin e projektligjit për TVSH në vitin 2014, kur qeveria propozoi barazimin e TVSH për fermerët në shitje dhe blerje 20/20%, kur qeveria thoshte se do të ndihmonte sektorin. Në foltoren e Kuvendit, deputeti i PS-së tha se heqja e kompensimit 6% të TVSH-së dhe taksimi i inputeve do të shkaktoj humbje të mëdha për bujqit.

“Propozimi lidhur me skemën e bujqësisë, çfarë ka ndodhur me qeverinë nga viti 2014 kur vendosi këtë skenë që e bënë 0 kompesimin e fermerit. Kemi tre faktorë, bujkun, grumbulluesin dhe eksportuesin, problemi është te dy të parët ndërsa eksportuesit me 0 tvsh përjashtohen. Çfarë ndodhi me skemën 6%? Grumbulluesi i shtoi 10 lekë vlerë të shtuar dhe doli në treg me 60 lekë, dhe duhet ti paguaja 10 lekë dhe i mbetën 2.8 lekë rroga dhe përfitimin e tij. Nëse shkojmë te skema 0 me 20 humbja është e pastër me 10 lekë për çdo grumbullues. Atëherë pse të grumbullojë bujku, s’ka asnjë interes. Kemi një problem të përbashkët, edhe ne si deputetë edhe ata që janë jashtë, si do marrë bujku atë 20%? Nëse keni 2 mld lekë pse nuk bëni këtë gjë, paguani bujkut kompesionimin 20% dhe në krahun tjetër është të bëjë edhe grumbulluesin të interesohet të shkojë të grumbullojë. Skemat kush hyn i pari dhe garo konkurs me një sërë kushtesh nuk shpërndan sa ç’shpërndan kjo skemë. Nëse vendosim tvsh 10% kur tregu është i kapur nga 10 kompani, Na duhet të çlirojmë tregun nga këta 10 kartelët, siç para 10 vjetësh qeveria përcaktonte çmimet. Barra e taksave mbi bujkun do të reflektohet te fatura dhe do të rrisë kostot e bujkut. Sot nuk ka fabrikë në Shqipëri që prodhon me qumësht pluhur, nëse ka kërkoj ndjesë. Legjislacioni jonë vajin e palmës nuk e takson, kam propozuar taksë dhe për këtë. Që qumështi pluhur dhe vaji i palmës të trajtohen njësoj”, tha Braçe.

Braçe u ndal edhe te taksimi i pijeve alkoolike, dhe heqja e favorizimeve për sektorin e birrës, pasi sipas tij favorizimet nuk mund të jenë të përjetshme, ndërsa më tej bëri thirrje të taksohet vaji i palmës dhe të mos përjashtohen fabrikat nga taksimi i qumështit pluhur.

Top Channel