Basha: Ulni TVSH-në për produktet e shportës, ndihmon familjet në nevojë

25/11/2021 13:23

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të enjte i kërkoi Qeverisë të ulë TVSH-në për produktet e shportës për t’i shkuar në ndihmë familjeve që luftojnë çdo ditë me koston e papërballueshme të jetesës.

Nga foltorja e Kuvendit, Basha tha se qytetarët shqiptarë po luftojnë çdo ditë me koston e papërballueshme të jetesës, me çmimet e rritura të ushqimeve, energjisë dhe karburantit.

Ai tha se këta qytetarë nuk do të kenë mundësi të gjejnë një lehtësim nga ulja e TVSH-së për produktet e shportës nga 20% në 6%, që PD propozon, sepse paketa fiskale që shoqëron këtë buxhet, nuk është për qytetarët, dhe as nuk pasqyron hallet dhe nevojat e tyre, por pasqyron grykësinë e qeverisë, të shtetit më të korruptuar në rajon e në Europë.

Sipas tij, kjo grykësi pasqyrohet në vendimet e pamoralshme dhe të çoroditura që kjo qeveri ndërmerr, të cilat reflektojnë shkëputjen nga interesat e shumicës dërrmuese të qytetarëve.

Sepse kur nevoja e tyre është të paguajnë çmime më të ulëta për karburantin, shumë ndryshe nga sa bëri pak ditë më parë qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila uli çmimet e tyre, ky grup të korruptuarish dhe të paaftësh jo vetëm që nuk ul taksat që e bëjnë naftën që shqiptarët paguajnë ndër më të shtrenjtat në Europë, por vendos të godasë familjet dhe konsumatorët duke rritur me 6 lekë akcizën e gazit”, tha Basha.

Ai theksoi, ndër të tjera, se “kjo qeveri që ngre akcizën e gazit, që mban taksën Rama prej 240 lekë për litër mbi karburantin, që refuzon uljen e TVSH-së për produktet e shportës, që u ngre fermerëve TVSH-në e inputeve bujqësore, vendos të ulë taksën e karburantit për klientët nga 65 lekë në 40 lekë për litër.

Pra jo 65 lekë për litër, siç deklaronin pak ditë më parë, por 40 lekë për litër. Duke treguar qartë se edhe në kohë krizash, edhe në kohë të vështira për familjet dhe sipërmarrjet shqiptare, prioritet nuk kanë interesin tuaj, por interesat e tyre dhe të klientëve të tyre”.

Top Channel