Basha pranon se SHBA ka kërkuar përjashtimin e Berishës nga PD: Mbajta premtimin e ish-kryeministrit

25/11/2021 21:23

Kryedemokrati Lulzim Basha, i ftuar në “Open” u shpreh se vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së erdhi pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai shprehet se ka tejkaluar interesat personalë, për të mirën e Partisë Demokratike.

SHBA ka kërkuar përjashtimin nga kuvendimi, përjashtimin nga partia. Vendimi i marrë në 9 shtator, u bë me qëllim që të shmangte koston ndaj demokratëve  dhe Partisë Demokratike. Partia Demokratike kishte vendosur një standard dhe me ‘non grata-t’ e tjera. Falë investimit politik dhe personal të kryetarit, u arrit në një vendim të tillë deri në përfundimin e hetimeve, duke bërë realitet premtimin e Berishës që nuk do ta përfshijë PD në një nivel të tillë”.

Ai lë të nënkuptohet se nëse nuk do të përjashtonte Berishën, pasojat për partinë më të madhe opozitare do të ishin të rënda, duke shtuar se edhe Berisha e ka të qartë ç’do të thotë pasojë për një parti në raste të tilla.

Vendimin e sheh si më të mirin e mundshëm për ish-liderin demokrat, pasi në këtë mënyrë Berisha nuk u largua nga kuvendi: “Falë investimit tim politik dhe personal, në përmasa që nuk do t’i bëja për veten time, një distancim i Berishës nga PD u kthye në një pezullim”.

Basha këmbëngul se nuk ka ndërmend të diskutojë vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që e shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij ‘non grata’, pasi është përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë.

Top Channel