Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar në emisionin Open në Top Channel këtë të enjte u shpreh se shpeshherë ka mbrojtur interesat e liderit historik të PD-së, duke lënë pas interesat e tij.

“Kam zgjedhur shpeshherë të mbroj interesat e Berishës dhe jo të miat”, tha Basha.

“Po iu them dhe një herë. 8 vite kryetar i Partisë Demokratike, me dhjetëra herë jam vendosur përballë interesit personal të Sali Berishës, le të themi sedrës apo interesit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kam zgjedhur çdo radhë anën e tij. Se kam thënë asnjëherë, po e them sot, ky nuk është një moment i tillë. Ky është momenti ku duhej të ishin o interesat e tij personale, ose vet ekzistenca e Partisë Demokratike. Dhe kjo është ajo që ju përpiqeni të anashkaloni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo thjesht shpallën non grata Sali Berishën, po vunë një vij të kuqe për Partinë Demokratike.”

Kujtojmë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, pasi ky i fundit u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD-së, pasi ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA-ja.

Pas këtij vendimi, Berisha vijon luftën politike me anë të foltoreve të mbajtura me mbështetësit e tij në qytetet e vendit.

Berisha e akuzon Bashën se është marrë peng nga Rama dhe po bashkëpunojnë, gjë që është hedhur poshtë nga kryedemokrati.

Kujtojmë se me datë 10 nëntor, ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij dorëzuan firmat e mbledhura në selinë e PD-së, me qëllim mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar më datë 11 dhjetor.

Ndërkohë ka pasur thirrje për dy Kuvende me data të ndryshme.

Më 15 nëntor, kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha në fjalën e tij gjatë takimit me anëtarët e Kryesisë së PD-së, ka theksuar se “11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së”.

Kreu i demokratëve ka zyrtarizuar datën 18 dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, e cila është kundërshtuar me forcë nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij.

Lulzim Basha nuk e njeh Kuvendin e shpallur nga paraardhësi i tij dhe ka kërcënuar me përjashtuam këdo që shkel interesat politike dhe elektorale te partisë, duke nisur me Sali Berishën.

Top Channel