“80% kanë votuar pro”/ Anëtarë të PD në njësitë 6 dhe 3 verifikojnë formularët për mbajtjen e Kuvendit më 11 dhjetor: I kemi me emra dhe firma!

25/11/2021 13:28

Një përfaqësi e anëtarëve të Partisë Demokratike, në njësitë 6 dhe 3 në Tiranë, kanë lexuar formularët e firmosur për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar më datë 11 dhjetor.

Sipas tyre, 80% e delegatëve në këto 2 njësi kanë firmosur për mbajtjen e Kuvendit dhe sipas verifikimeve të tyre, delegatët janë 100% dakord për thirrjen e tij.

“Jemi një pjesë e anëtarëve të njësisë 6 dhe 3, e do të verifikojmë firmat për mbledhjen e kuvendit të datës 11 dhjetor. 80% të delegatëve kanë firmosur, ata kanë kërkuar të jenë publik. Te njësia 6 janë 65 formularë, ne lexuam 58 emra, sepse personat e tjerë nuk duan të bëhen publikë. I kemi telefonuar të gjithë dhe kanë rezultuar 100% të vërteta”, tha anëtarja.

Më herët deputeti Agron Shehaj bëri një verifikim të firmave në formularët e dorëzuar në selinë blu, duke telefonuar në praninë e kamerave delegatët e zonave të njësisë Nr.5 dhe 7 në Tiranë, dy zona të cilat ai i mbuloi si drejtues politik në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Mirëpo, 17 ditë nga Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, të mërkurën në darkë u ngriten hije dyshimi të forta mbi procesin, pasi nga verifikimi që bëri deputeti Shehaj, rezultoi se dy nënshkrime ishin falsifikuar.

Denoncimi i parë erdhi nga sekretarja e seksionit të njësisë numër 5-së, Freskida Rapo, e cila ndërhyri live në emisionin “Open” në Top Channel, duke konfirmuar se nuk kishte firmosur për mbledhjen e Kuvendit me datë 11 dhjetor.

Top Channel