Hetimi për 25 prillin/ PS kërkon përjashtimin si dëshmitarë të kreut të SPAK dhe atë të Prokurorisë së Përgjithshme, PD e refuzon

24/11/2021 11:14

Deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit kanë kërkuar që të përjashtohen nga plani i hetimit, në cilësinë e dëshmitarit, për të ashtuquajturën ‘masakër zgjedhore’, kreu i SPAK dhe ai i Prokurorisë së Përgjithshme.

Kjo kërkesë e deputetëve socialistë për përjashtimin e këtyre dy dëshmitarëve është refuzuar nga kreu i Komisionit, Enkelejd Alibeaj. Ai theksoi se kërkesa për thirrje dëshmitarësh është kërkesë që pranohet pa votim, ndërsa shtoi se ata do të do pyeten vetëm për çështje që i ka caktuar vendimi i Kuvendit dhe jo për çështje aktuale.

Alibeaj: Plani i hetimit ka mbërritur vonë se të dhënat nga bashkitë kanë ardhur vonë. Plani i hetimit ofruar juve është pjesa e kërkuar nga ne. Ky plan hetimi të jetë i plotë do duhet të pasqyrojë të gjitha kërkesat qoftë për tema të hetimit, qoftë edhe për instrumentet, provat që ju kërkoni për këto çështje. Do doja që planin e hetimit duke pasuruar edhe me kërkesat që ju bëtë ta miratojmë dhe më pas secili nga anëtarët ka të drejtë të bëjë edhe kërkesa të tjera.

Ka një problem! Lidhur me kërkesat për thirrje dëshmitarësh zotërinjtë Mziu, Vokshi, Bardhi kjo është e drejta e secilit prej anëtarëve dhe miratohet pa votim, përveç një kufizimi që ligji vendos që dëshmitarët të thirren për objektin e hetimit që është përcaktuar në vendimin e Kuvendit. Vetëm për atë mund të pyeten.

Ju kërkuat të përjashtohen nga thirrja si dëshmitarë Kreu i SPAK dhe ai i Prokurorisë së Përgjithshme. Kërkesa për thirrje dëshmitarësh është kërkesë që pranohet pa votim, është në çmimin e secilit anëtar të Komisionit, por ka një kufizim: do pyeten për çështje që na i ka caktuar vendimi i Kuvendit. Askush nuk ka të drejtë të kërkojë të përjashtohen dëshmitarë. Është një kërkesë që nuk e ezaurojmë dot.

Nuk do të pyeten për çështje konkrete, do japin sqarime, përveç atyre që kanë dhënë me shkresë lidhur me ato të dhëna që kodi zgjedhor parashikon. 

Top Channel