Bankina bllokoi derën e pasme të autobusit që u përfshi në aksidentin e tmerrshëm në autostradën e Strumës në Bullgari duke djegur brenda 45 vetë, shumica shqiptarë.
Diana Rusinova nga Qendra Europiane për Politika të Transportit, e cila kontrolloi vetë vendin e tragjedisë, thotë se udhëtarët kanë tentuar të dalin nga dera prapa, por e kanë pasur të pamundur.
Ekspertja shpjegoi se në vendngjarje janë gjetur edhe parregullsi të tjera.
“Pamë mungesë të sinjalistikës rrugore, të ashtëquajturit “sy mace” me reflektim zero të dritës, kushte të rënda të rrugës por nuk mund të them se cili ishte faji i shoferit. Në atë segment rrugor, ka probleme të rënda”, u shpreh ajo, duke shtuar se drejtuesi i mjetit ndoshta është hutuar.
“Shoferi ndoshta ka gabuar kur nisi për të hyrë në kthesë, ka kuptuar në momentin e fundit që ishte në kthesë, ka goditur ishullin ndarës dhe pas kësaj, e ka kthyer fort timonin nga ana tjetër. Me gjasë, duhet të ketë pasur material që digjej lehtë dhe ai mund të ketë shërbyer si katalizator për zjarrin”, thotë ekspertja.
Top Channel