Tragjedia në Bullgari/ Nënkryetarja e Bashkisë së Shkupit: Ngushëllime familjarëve! Qeveria do merret me ceremoninë mortore të viktimave

23/11/2021 15:15

Nënkryetarja e Bashkisë së Shkupit, Bujare Abazi në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin e lajmeve në “Top Channel” u shpreh se viktimat dhe të lënduarit kanë qenë nga Shkupi dhe fshatrat përreth tij.  

Ajo u shpreh se qeveria e Maqedonisë së Veriut do t’u gjendet pranë familjarëve të viktimave dhe të të lënduarve. Duke filluar që sot do të vizitojnë familjarët e tyre, ndërsa thekson se po qeveria do të merret me ceremoninë mortore të tyre.

“Sot Shkupi u zgjua nga ky lajm i trishtë, ky aksident që i mori jetën 46 viktimave. Shumica janë të rinj dhe në mesin e tyre kemi 12 fëmijë. Sipas informacioneve të para duke qenë se Besa Trans është një kompani që operon në Shkup, viktimat dhe të lënduarit vijnë nga Shkupi ose fshatrat përreth.

Është një ditë e trishtë aq më tepër se tragjedi të tilla po bëhen të shpeshta në Maqedoninë e Veriut, se rasti tjetër ishte ai në shtator. Sigurisht do të kenë përkrahjen familjarët e viktimave dhe të të lënduarve, të fundit këta që kanë lëndime të lehta. Sot do të vizitojmë disa nga familjet”, u shpreh Abazi.

Top Channel