Papa Françesku të dielën iu drejtua me një mesazh të gjithë të rinjve në mbarë botën, duke iu kërkuar se “duhet të jenë ndërgjegjja kritike e shoqërisë”.
Papa kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, e cila ishte e mbushur me qindra të rinj. Mesha ishte për të shënuar një ditë të përqendruar te të rinjtë në të gjithë dioqezat në mbarë botën.
“Ju është besuar një detyrë emocionuese, por edhe sfiduese”, tha Papa.
Ai u bëri një thirrje të rinjve nga e gjithë bota, duke iu kërkuar të qëndrojnë në këmbë, ndërsa “gjithçka rreth nesh duket se po shembet”.
Papa tha se të rinjtë jo vetëm kanë ngritur alarmin e shkatërrimit të mjedisit, por dhe thërrasin çdo ditë, duke theksuar vazhdimisht se “ne kemi nevojë për të”.
Duke iu drejtuar atyre, Françesku tha se një botë “që mendon vetëm të fitojë, që tenton të mbysë idealet madhore, nuk arriti dot ta shuajë aftësinë tuaj për të ëndërruar”.
“Qëndroni të lirë dhe origjinal dhe vazhdoni të jeni ndërgjegjja kritike e shoqërisë”, përfundoi ai.
Drejtësia sociale dhe kujdesi për klimën ishin mesazhet kryesore të Papës.
Ai pritet të takohet në muajin gusht të vitit 2023 me të rinj nga e gjithë bota në qendrën e kishës katolike në Lisbonë, Portugali.
Top Channel