
Ajo që duhet të ishte një paradë e gëzueshme Krishtlindjesh u shndërrua në tragjedi në Wisconsin të SHBA-së, ku një makinë mori përpara barrierat e u përplas mbi turmën e njerëzve të mbledhur nga kureshtja, duke vrarë pesë persona e duke plagosur më shumë se 40 të tjerë, përfshirë dhe fëmijë e një grup valltarësh të rinj.
Shefi i policisë në Waukesha, Dan Thompson, sqaroi se një person është tashmë në paraburgim dhe një makinë është gjetur pas incidentit në qytet, rreth 32 kilometra në perëndim të Milwaukee.
Thompson nuk përjashtoi mundësinë që bilanci i viktimave të ndryshojë teksa tha se po mbledhin informacione shtesë. Shumë njerëz janë dërguar në spitalet e zonës”.
Autoritetet ende nuk kanë sqaruar nëse bëhet fjalë për një akt me sfond terrorist, megjithatë ata thonë se nuk ka rrezik të mëtejshëm dhe një urdhër i mëparshëm që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi në këtë qytet me rreth 72,000 banorë është hequr.
Parada e Krishtlindjeve në këtë qytet mbahet që prej 59 vitesh, gjithmonë të dielën para Ditës së Falënderimeve dhe organizohet nga Dhoma e Tregtisë së qytetit.
Presidenti Biden tha se “Shtëpia e Bardhë po e ndjek nga afër situatën në Waukesha dhe zemrat tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga ky incident i tmerrshëm. Ne kemi kontaktuar me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë për të ofruar çdo mbështetje dhe ndihmë sipas nevojës”, u shpreh ai.
Top Channel