Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot se Moska i ka dërguar qeverisë së Libanit imazhet satelitore nga dita e shpërthimit shkatërrimtar në portin e Beirutit vitin e kaluar.
Në takimin me homologun e tij libanez, Abdallah Bu Habib, Lavrov tha se Moska kishte transferuar pamjet e përgatitura nga agjencia hapësinore e vendit Ros-cosmos.
Imazhet tregojnë portin para dhe pas shpërthimit tragjik dhe mund të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të shpërthimit, tha Lavrov.
“Ne shpresojmë që specialistët libanezë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje që po kthehet në një çështje irrituese për Libanin,” tha Lavrov.
Në gusht 2020, qindra ton nitrat amoni të depozituata në portin e Beirut, shpërthyen duke tronditur të gjithë kryeqytetin e duke lënë të vdekur të paktën 215 njerëz.
Një gjykatës libanez i emëruar për hetimet është detyruar të ndërpresë tre herë punën e tij prej padive për neglizhencë nga ish-ministra e zyrtarë.
Gjykatësi kishte kërkuar bashkëpunim nga disa vende si Franca e SHBA që prej ditëve të para për imazhet satelitore të shpërthimit.
Përveç tragjedisë, ministri rus e ai libanez diskutuan çështjen e refugjatëve nga Siria, 1.5 milionë prej të cilëve strehohen aktualisht në Liban.
Top Channel