Mbledhja e shtabit të krizave përfundoi pa konkluzione mbi masat e propozuara nga Komisioni për sëmundje ngjitëse. Masat e propozuara do të shqyrtohen nesër në seancën e rregullt të Qeverisë ku dhe do të dihet nëse do të miratohen të njëjtat.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe para takimit me përfaqësuesit e Sindikatave mbrojti masat e propozuara duke u apeluar qytetarëve që të vaksinohen, pasi sipas tij periudha në vijim do të jetë e vështirë.

“Shohim shembuj nga vendet përreth se në spitale shtrohen personat e pa vaksinuar që do të thotë se tash është momenti i duhur qytetarët të kuptojnë sa është me rëndësi kjo, të gjithë të japin kontribut që në një kohë më të shkurtër të vaksinohen sa më shumë njerëz që t’i shmangemi mbingarkimit të spitaleve”, deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Dilemave të Sindikatave për Shëndetësi dhe Farmaci lidhur me vaksinimin e detyruar, Filipçe iu përgjigj se ata duhet të jenë shembull për të gjithë qytetarët

“Vlerësoj se të punësuarit në shëndetësi duhet të jenë shembull, kur të gjithë shkojmë dhe kërkojmë shërbime shëndetësore, ata njerëz duhet të jenë shembull se si ruhet shëndeti. I shqyrtuam aspektet ligjore, kushtetutën, ligjin për marrëdhënie pune çdo kund ka nene ku shëndeti vendoset si prioritet, çfarëdo që mund të bëjmë për të ruajtur shëndetin tonë dhe njerëzve rreth nesh”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Për momentin në fuqi janë disa masa, përfshirë dhe posedimin e certifikatës së vaksinimit me të dy dozat, gjatë hyrjeve në objektet ë mbyllura. Inspektorati i tregut njoftoi se nga muaji gusht, janë kryer mbi një mijë kontrolle ndërkaq janë mbyllur 20 objekte gastronomike.

“Mbyllja bazohet në atë se një pjesë e mysafirëve nuk kanë poseduar certifikatë apo është konstatuar se nuk i respektojnë protokollet në bazë të pjesëmarrjes më të madhe të personave se sa është e lejuar si dhe për mos respektimin e protokolle për mbajtjen e distancës”- pohoi Aneta Simevska Dimoska, Inspektorati i Tregut.

Propozimi i Komisionit për sëmundje ngjitëse parasheh që të gjithë punësuarit në administratën shtetërore si dhe në nivel lokal, për tu paraqitur në vendin e tyre të punës duhet të posedojnë certifikatë vaksinimi, apo të tregojnë test negativ PCR për të paktën 72 orët e fundit. Pa vaksinë mund të hyjnë vetëm personat të cilët do të kenë dokument nga mjeku specialist se vaksinimi për ta nuk rekomandohet./Alsat/

Top Channel