Partia Demokratike i konsideron deklaratat e Presidentit të Republikës Ilir Meta si një tentativë për të përçarë partinë më të madhe opozitare në vend.

Presidenti Meta deklaroi të hënën pasdite se kreu i demokratëve gënjeu mbështetësit e opozitës, duke i thirrur në protesta para zgjedhjeve vendore të 2019. Ai zbuloi se në fillim të qershorit, kur ndodhej për një vizitë në Gjermani ishte takuar atje me Lulzim Bashën, ku demokrati i ishte lutur që të anulonte zgjedhjet, pasi ky i fundit nuk mund të kontrollonte dot protestën e 8 qershorit.

Në lidhje me këtë deklaratë të Presidentit të Republikës, Partia Demokratike thotë se simpatizantët e saj e njohin mirë se kush është Ilir Meta dhe sipas saj asnjë përpjekje e ulët për përçarje nuk do t’i funksionojë.

Demokratët e njohin mirë atë, ia dinë bëmat dhe gjëmat, se si e përdori pushtetin në kurriz të tyre dhe asnjë përpjekje e ulët për përçarje nuk do t’i funksionojë”, citohet nga deklarata e PD-së.

Në të njëjtën deklaratë, theksohet se Metës demokratët nuk i kanë asnjë borxh dhe mbi të gjitha nuk ia zgjidhin dot hallet.

Ne demokratët nuk i kemi asnjë borxh dhe nuk ia zgjidhim dot hallet e tij”, shkruan PD.

Presidenti Ilir Meta ju kundërpërgjigj akuzave të pak javëve më parë të kryetarit demokrat Lulzim Basha, i cili gjatë një ndërhyrjeje në parlament foli për “Trekëndëshin e Bermudave”, apo “Trekëndëshin e së keqes” ku ai përfshiu ish kryeministrin Sali Berisha, kreun e shtetit Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Meta deklaroi se kryetari demokrat Lulzim Basha nuk mund t’i iki përgjegjësive të tij e të shpikë gjithnjë fajtorë. Presidenti u pyet nga mediat edhe për përplasjen e fortë në gjirin e Partisë Demokratike, e cila shpërtheu pas vendimit të kreut të saj për të përjashtuar nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha, për shkak se ky i fundit është shpallur “non grata” nga Departamenti amerikan i shtetit.

Kreu i shtetit tha se nuk dëshironte të hynte në çështjet e brendshme të Partisë Demokratike. Megjithatë, ai deklaroi se “është një fakt që, opozita ka një problem të rëndësishëm, legjitimitetin e lidershipit të saj. Është një lidership që nuk mban përgjegjësi dhe gjithmonë do shpikë një fajtor”.

Meta u shpreh më tej se “këshilla që i kam dhënë gjithmonë kreut demokrat Basha ka qenë, ta respektojë gjithmonë ish-kryeministrin Berisha, por të vendosi vetë edhe kur Berisha, ai mendon që mund ta ketë gabim. Por asnjëherë të mos bjerë viktimë e diversioneve për të injoruar kontributet e tij, apo vlerat e tij, sepse në fund të fundit dihen këto vlera”.

Meta, ishte njeriu që reagoi me tone të ashpra kur u njoftua vendimi i autoriteteve amerikane ndaj ish kryeministrit shqiptar. Në një sulm të hapur ndaj Departamentit amerikan, ai foli për “fletërrufe” të porositur në Tiranë apo sipas tij për një akt të poshtër.

 

Top Channel