Pas zymtësisë me të cilën u kaluan festat e fundvitit në 2020-ës në Paris për shkak të krizës së Covid 19, këtë radhë, atmosfera në kryeqytetin francez do të jetë shumë ndryshe.
Parisienë e vizitorë u mblodhën në shëtitoren e famshme Champs-Élysées për të admiruar ndezjen e dritave të Krishtlindjeve, që i veshën pemët e saj në të kuqe, e krijuan një ndjesi të shumëpritur normaliteti.
Katërqind pemë përgjatë më shumë se 2 kilometrash të rrugës u ndriçuan me mijëra drita, në ceremoninë e ndezjes së të cilave mori pjesë dhe kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur pak njerëz shiheshin për shkak të kufizimeve të koronavirusit, zona gëlonte nga njerëzit. Pronarët e dyqaneve të suvenireve aty shpresojnë se ndriçimi dhe fryma e festës do të rikthejnë në masë njerëzit atje.
Megjithatë, në industrinë e restoranteve ka ende mjaft pesimizëm, pasi thonë se nuk presin që numri i klientëve të kthehet për momentin në nivelet para pandemisë.
Rastet ditore të infektimeve në Francë kaluan 10,000 këtë muaj.
Virusi po përhapet me shpejtësi edhe në vendet e afërta, përfshirë Gjermaninë dhe Holandën. Zyrtarët thonë sakaq se ndriçimet e Krishtlindjeve do të vazhdojnë deri në 9 janar.
Top Channel