Biznesi i vogël/ Rama: Do vijojmë me taksë zero dhe pa TVSH deri në 100 milion lekë xhiro

22/11/2021 17:44

Në lidhje me buxhetin e 2022 për biznesin e vogël, kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të hënë se qeveria shqiptare do vazhdojë të mbajë një regjim me taksë zero mbi fitimin për të gjitha bizneset e vogla dhe pa TVSH deri në 100 milionë lekë xhiro.

Duke u nisur nga ku e ndërmorëm këtë përpjekje në krye të herës, bizneset ishin 60 mijë dhe tatoheshin 10%. Sot bizneset e vogla janë 110 mijë dhe tatohen zero”, tha Rama.

Për kryeministrin, në terrenin e fakteve dhe shifrave, biznesi i vogël është forca më e përkrahur dhe mbështetur nga qeveritë socialiste.

Edhe pse ishin 60 mijë biznese të vogla gjatë periudhës 2006-2013, kanë paguar 19 miliardë lekë tatime. Nga 2014 deri në 2021 kanë paguar 5.7 miliardë lekë tatime, pra tre herë më pak. Diferenca nuk ka ikur në lumë, por ajo ka hyrë në familjen e sipërmarrësve të vegjël dhe bëhet fjalë për një diference 133 milionë dollarë”, tha Rama.

Kryeministri gjithashtu është ndalur edhe tek kapja e ritmit nga biznesi i vogël, veçanërisht pas mbylljes dramatike nga pandemia, duke u shprehur se nga numërimi më i fundit dalin 2,400 biznese më shumë se përpara kohës kur u vendos për t’u mbyllur.

Sigurisht që ka pasur biznese që janë mbyllur, por ka pasur shumë më tepër që janë hapur. Në fund fare, shifrat tregojnë se bëhet fjalë për 2,400 biznese më shumë. Me siguri, ne mendojmë, se ka luajtur rol edhe mbështetja që u dhamë gjatë pandemisë, duke ia hequr lakun nga fyti dhe duke i mundësuar kapërcimin e kësaj krize, pa qenë në kthetrat e falimentimit”, tha Rama.

Top Channel