Trajneri i përfaqësueses së Anglisë, Gareth Southgate ka nënshkruar një kontratë të re që e lidh me përfaqësuesen deri në dhjetor 2024.
Kontrata e mëparshme i skadonte me përfundimin e Kupës së Botës, “Katar 2021”.
51-vjeçari është në krye të “Tre Luanëve” që nga nëntori 2016. Nën drejtimin e tij, Anglia arriti deri në finale të Europianit, por pa mundur ta fitonte trofenë, pasi dështoi te goditjet e penalltive përballë Italisë.
“Mbetet një privilegj i jashtëzakonshëm udhëheqja e këtij ekip. Ne kemi një mundësi të madhe para nesh,” deklaroi Southgate pas zyrtarizimit të marrëveshjes së re.
Ndihmësi i tij, Steve Holland, gjithashtu ka rënë dakord për një marrëveshje të re deri në fund të vitit 2024.
“Do të doja të përfitoj nga ky rast për të falënderuar lojtarët dhe bashkëpunëtorët e mi për punën e tyre të palodhur”, – vijoi më tej Southgate. – “E di që tifozët janë të gjithë të emocionuar për atë që kjo skuadër mund të arrijë në të ardhmen”.
Anglia ka fituar 44 nga 68 ndeshjet e saj nën drejtimin e Southgate, me 14 humbje dhe 10 barazime.
“Tre Luanët në takimin e fundit mposhtën San Marinon, duke siguruar një vend në finalet e “Katar 2022”. Kontrata e re e Southgate parashikon një rritje të ndjeshme të pagës (mes 5 deri 6 milionë stërlina në vit).
Top Channel