16 burgje në vend i janë nënshtruar vitet e fundit  një marrëveshjeje të njëanshme me afat pesë vjeçar për shërbimin e kartofonisë duke ju shitur gati 4 mijë të burgosurve karta telefoni me çmime të paarsyeshme dhe jashtë logjikës së tregut.

Ky skandal aktualisht gjendet në gjykatën administrative të Apelit mbasi marrëveshja u zgjidh në mënyrë të njëanshme nga shteti dhe u konsiderua  favorizuese për kompaninë, e cila ka fituar dëmshpërblim në gjykatë dhe në rast se kjo e fundit fiton edhe në shkallen e dytë, burgjet do ta dëmshpërblejnë me gati 850 milionë lekë  përafërsisht aq sa është buxheti vjetor i këtij institucioni.

Një tjetër hetim që lidhet me shpërdorimin e detyrës në burgje është nën hetim nga prokuroria. Dyshimet nisen nga denoncimet e disa të dënuarve që u ankuan se po blinin karta me parapagim me shumëfishin e vlerës reale që këto karta kanë jashtë mureve të qelisë.

Abuzimi dyshohet se ka nisur nga viti 2013 e në vazhdim dhe përfshinë disa ish-zyrtarë burgjesh, ndërkohë që auditi ka nxjerrë në dritë faktin që marrëveshjet për këtë shërbim janë lidhur në mënyrë të jashtëligjshme në kundërshtim me ligjin e AKEP  që parashikon se një kontratë e tillë nuk mund të lidhej maksimumi përtej 24 muajve mbasi prek interesat e konsumatorit në këtë rast të të burgosurve.

Përveç kësaj auditi më i fundit i urdhëruar nga Ministri i Drejtësisë ka zbuluar se nuk ekzsiton dokumentacioni procedurial lidhur me praktikën.

Top Channel