Tribunat e stadiumeve, përveç funksionit të tyre të zakonshëm për të akomoduar tifozët e futbollit, janë kthyer shpeshherë nga këta të fundit edhe si një nga destinacionet më të preferuar për të bërë propozimet për martesë.
Diçka e tillë ka ndodhur edhe në një ndeshje të MLS në Amerikë mes Houston Dynamo dhe LA Galaxy.
Edhe pse skuadra e tyre po mposhtej me rezultatin 0-2, një nga fansat mendoi t’i propozonte para të gjithëve të dashurës së tij. Dhe, gjithçka po shkonte mirë duke krijuar shumë atmosferë në shkallët e stadiumit teksa edhe regjia e ktheu vëmendjen nga çifti.
Mirëpo, për t’i marrë vëmendjen këtyre të fundit mendoi LA Galaxy që shënoi golin e tretë dhe në këtë formë, kamerat u larguan nga çifti, ndërsa edhe në tribuna shikimi shkoi te goli i kundërshtarëve. Megjithatë, në fund e rëndësishme është se vajza tha “Po” dhe çifti do ta kujtojë gjatë episodin edhe pse nuk e shijuan maksimalisht.
Top Channel