Kryeministri i vendit, Edi Rama në nisjen e mandatit të tretë qeverisës i ka kushtuar vëmendje të veçantë problematikës së mbetjeve dhe nevojës emergjente për një menaxhim më të mirë të situatës nga bashkitë.
Këtë të shtunë, zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive dhe prefektët e qyteteve bregdetare, ku thekoi sërish se nëse bashkitë nuk fusin në buxhet fondin e nevojshëm për pastrimin e territorit, ai nuk do të miratohet.
Kryeministri pranon se menaxhimi i mbetjeve kërkon kosto të lartë, që nuk përballohet nga bashkitë, sidomos gjatë sezonit veror.
“Jemi në udhëkryq sa i takon cilësisë së mjedisit, për qytetarët, komunitetet dhe turizmit. Është e qartë që barra e kësaj peshe të madhe përgjegjësie nuk mund të mbetet e gjitha mbi supet e bashkive
Kosto është më e lartë se sa bashkitë i faturojnë qytetarëve dhe bizneseve. Pastaj dhe qeveria është e detyruar të rishikojë të gjithë skemën e këtij procesi. Gjobat janë të domosdoshme. Por, ata që mendojnë se është thjesht me vendosje gjobash, nuk funksionon kështu. Apo kur thonë vendosni koshat. Plehrat në rrugët kombëtare s’kanë lidhje me koshat. Në asnjë vend të botës s’ka kosha në rrugë kombëtare dhe s’kanë as plehra në rrugë.
Na duhet një qasje më e organizuar dhe më agresive. Për këtë arsye, kemi thënë që asnjë bashkie s’do i miratojmë buxhetin, nëse nuk përmban fondin e nevojshëm për pastrimin. Ky është objektivi i parë, i padiskutueshëm, do të punojmë ta ndryshojmë buxhetin, ose prefektët nuk kanë për ta firmosur.
Duhet t’i japim mbështetje bashkive, që për shkak të pozicionit gjeografik, kanë mbingarkesë mbetjesh në sezonin veror, kur dyfishohet popullata”.
Planin e veprimit për pastrimin rrënjësor nga mbetjet në Shqipëri, ku prioritet është bregdeti, kryeministri Rama e prezantoi dy javë më parë, nga pylli i Sodës në Vlorë, ku u angazhua dhe vetë ne pastrimin e zonës.
Ai u kujdes t’i tregonte ligjin Kryebashkiakëve në të gjithë vendin:
“Asnjë bashki nuk do të lejohet që për arsyet e mo sarsyet e për justifikime të pajustifikueshme, në vend që t’i çojë mbetjet e veta në pikën fundore të krijojë pika të tjera, të paligjshme grumbullimi. E për këtë ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive, parashikon sanksione për vetë bashkitë”, u shpreh Kryeministri.
Top Channel