Borussia e Dortmundit përfiton maksimalisht nga humbja e Bayern Munich, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 2-1 ndaj Stuttgartit dhe të shkojë vetëm një pikë larg vendit të parë, që mbahet pikërisht nga bavarezët.
Në “Signal Iduna Park” gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë, teksa me Haaland të dëmtuar ende, ishte holandezi Malen që zhbllokoi sfidën në minutën e 56-të. Megjithatë festa verdhezi zgjati vetëm 7 minuta, pasi miqtë rikthyen avantazhin me anë të Massimo.
Në minutën e 85-të ishte kapiteni Marco Reus që shënoi golin e dytë dhe të fitores për Borussia Dortmund, që ngjitet në kuotën e 27 pikëve, vetëm një më pak se Bayerni i Mynihut kryesues.
Fitore minimale, por me shumë peshë edhe për Bayer Leverkusen, që mposhti 1-0 Bochumin, falë një goli të Adli në minutën e katërt dhe u ngjit në vendin e katërt me 21 pikë.
Bind ndërkohë Borussia Monchengladbach, që mori një fitore të thellë 4-0 ndaj Greuther Furth. Hoffman dy herë, Plea dhe Neuhaus shënuan për Gladbach, që nuk e diskutoi për asnjë moment fitoren, duke dominuar totalisht kundërshtarin.
Në sfidat e tjera, Hoffenhaim triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Leipzig, ndërsa Arminia Bielefeld ndali Wolfsburgun në një barazim 2-2.
Top Channel