Gjykata e Korçës ka lënë në burg autorin e dyshuar të vrasjes së 25 vjeçarit Fridman Xhaferraj në 13 qershor të këtij viti, Kristi Bixhekut.
Në seancën për njohjen me masën e sigurisë të vendosur në mungesë nga gjykata e Korçës, prokuroria paraqiti dinamikën e ngjarjes ku veç Kristi Bixhekut në kërkim është edhe Lulzim Spahija, si bashkëpunëtor në ngjarjen e rëndë.
Prokuroria e Korçës pas paraqitjes së provave që implikojnë dy autorët e ngjarjes në vrasjen e 25 vjeccarit i kërkoi gjykatës që Bixheku të vazhdojë të qëndrojë i izoluar deri në përfundim të hetimeve.
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim.
Fridman Xhaferraj u gjet i pajetë nga banorë të fshatit Gjanç në rezervuar, i lidhur me litar në gjymtyrë, dhe me një plagë në kokë të shkaktuar nga goditja me mjet prerës.
Policia identifikoi si autorë të dyshuar dy shtetasit Kristi Bixheku dhe Lulzim Spahija i cili vijon të jetë në kërkim prej 5 muajsh.
Sipas prokurorisë vrasja dyshohet të ketë ndodhur për prishje të pazareve të drogës mes viktimës dhe autorëve, të tre me precedentë penalë në fushën e narkotikëve.
Kristi Bixheku një nga autorët e dyshuar si vrasës i Fridman Xhaferaj është arrestuar nga policia te spitali “Nënë Tereza”. Fridman Xhaferraj u vra në qershor të këtij viti dhe më pas trupi i tij u hodh në një rezervuar në Vithkuq të Korçës. Xhaferraj ishte personi i akuzuar për djegien me qëllim të 3 makinave në afërsi të një qendre tregtare ndërsa ishte lënë me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Sipas të dhënave të policisë ai në datën 21 maj është liruar nga dhomat e paraburgimit duke u lënë në arrest shtëpie në fshatin Plug të Lushnjës.
Shenjat e gjetura në trupin dhe kokën e viktimës bënë që grupi hetimor të dyshojë se kjo mund të jetë një vrasje dhe se i riu para se te hidhej ne rezervuarin e Gjançit është dhunuar deri në vdekje diku tjetër.
Dy personat kryesorë të dyshuar për vrasjen e tij janë Lulzim Spahija me nofkën “Arapi” dhe miku i tij Kristi Bixheku.
Top Channel