Nëse Shtetet e Bashkuara i përgjigjen negativisht kërkesës për blerjen e avionëve luftarakë F-16, atëherë Turqia do të shohë alternativa të tjera deklaroi ministri turk, i Mbrojtjes Hulusi Akar, duke lënë kështu të kuptohet se Ankaraja mund t`i drejtohet dhe rivalëve të Amerikës.
Bisedimet janë sidoqoftë në vazhdim tha ai dhe një delegacion nga Ministria e Mbrojtjes është aktualisht në SHBA për të diskutuar mbi kërkesën e Turqisë për të blerë 40 F-16 dhe gati 80 komplete modernizimi në këmbim të pagesës së palës turke për programin e avionëve luftarakë F35.
“Kontaktet tona vazhdojnë me qëllim zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe të tjerave të ngjashme”, shpjegoi ministri përpara komisionit parlamentar të Planifikimit dhe Buxhetit.
“Por nëse qëndrimi i SHBA-së është negativ, Turqia domosdoshmërisht dhe natyrshëm do të duhet të vlerësojë alternativa të tjera për të garantuar sigurinë e saj në mjedisin kërcënues në të cilin ndodhet”, shtoi ai.
Turqia kishte paguar 1.4 miliardë dollarë për F-35 përpara se Uashingtoni ta hiqte nga programi në 2019 si shpagim për faktin që bleu sisteme të mbrojtjes ajrore S-400 të prodhuar nga Rusia, por edhe kjo lëvizje erdhi pasi tentativat e Ankarasë për të siguruar raketa Patriot të prodhuara nga SHBA i ishin refuzuar.
Top Channel