Berisha: Rama e çoi kafshatën e bukës në çmimin më të shtrenjtë në Europë

19/11/2021 17:33

Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të premte ka sulmuar qeverisjen socialiste si një nga shkaktaret kryesore të varfërisë së shqiptarëve, duke theksuar se në Shqipëri si në asnjë vend tjetër borxhi publik është rritur pesë herë më shumë në krahasim me tetë vite më parë.

Nga Librazhdi, Berisha tha se rrogat dhe pensionet janë ulur në pikiatë, për shkak të rritjes së inflacionit.

Sot secili prej jush merr më pak se në vitin 2013, duke e matur me inflacionin. Nëse Shqipëria tetë vite më parë ishte vendi me rrogat më të larta në rajon, sot është me rrogat më të ulëta. Çmimet janë tepër të shtrenjta. Ne për konsumin e bukës zëmë vendin e parë në Europë”, tha Berisha.

Berisha tha më tej se nafta blihet sot në Shqipëri më shtrenjtë se në Zvicër, duke theksuar se kjo gjendje është krijuar për shkak të instalimit në Shqipëri të narko-shtetit, i kapur nga kartelet e drogës dhe oligarkët ku konkurrenca nuk ekziston më.

Nafta sot shitet 8.2 herë më shtrenjtë se në çmimin e bursës. Ju paguani për shkollimin e fëmijëve në universitet  e vendit tarifën më të lartë në Europë pas Britanisë së Madhe dhe Holandës, por sa i përket të ardhurave ne zëmë vendin e parë në Europë për shpenzimet që duhet të kryejnë për fëmijët tanë”, tha Berisha.

Ish-kryeministri tha se në qeverisjen e Ramës, Shqipëria ka prekur majën e korrupsionit në botë.

Çfarë etike mund të kem unë për ministren që tenderon rrugën me çmim tetë herë më të lartë. Ti thuash hajdute është pak, ti thuash mega hajdute është po prapë pak. Shqiptarët janë njerëzit më të pashpresë, pasi opozita nuk ndezi dot dritën e shpresës në zemrat dhe mendjet e tyre”, tha Berisha.

Top Channel