Shtatë persona kanë humbur jetën dhe 8 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti tragjik që ndodhi në orët e para të së premtes në rrugën Egnatia në afërsi të Ksanthit në kufirin greko-turk.
Paraprakisht mësohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë pasi shoferi, një shtetas moldav, po tentonte t’i ikte policisë.
Policia tha se ngjarja nisi rreth orës 12.20 të natës, në kohën që një patrullë e policisë kufitare i bëri shenjë të ndalojë një automjeti i markës citroen C5 që drejtohej nga një shtetas moldav.
Drejtuesi i automjetit nuk ndaloi dhe tentoi të largohej me shpejtësi.
I gjetur pa rrugëdalje për t’i shpëtuar ndjekësve të tij, tentoi të dalë nga autostrada në vendin e quajtur “kryqëzimi i Lastmu-së”.
Duket se mjeti kishte shpejtësi të madhe dhe drejtuesi i tij nuk mundi ta mbajë nën kontroll, çka bëri që mjeti të dalë nga rruga dhe të godasë me forcë bordurën e stacionit të taksës rrugore.
Prej goditjes fatale, 7 persona humbën jetën në vend, ndërsa 8 persona ndodhen në spital, 2 prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.
Drejtuesi i automjetit ndodhet në spital dhe pritet të merret në pyetje sapo kjo të jetë e mundur.
Për momentin nuk jepen të dhënat lidhur me shtetësinë e emigrantëve dhe shumën që ata kishin paguar për të kaluar në brendësi të kufirit grek të Ksanthit, në kufirin greko -turk.
Top Channel