“Mungesë specialistësh në sistemin shëndetësor”/ Rama: E pakonceptueshme, ndërprerja e specializimeve për 4 vite krijoi hendek

18/11/2021 17:59

Kryeministri Edi Rama gjatë shpjegimit të buxhetit të vitit 2022 ka treguar se nuk e ka kuptuar kurrë ndërprerjen e specializimeve për 4 vite, në kohën kur qeveriste opozita.

Rama: Kur krahason rezultatin e atyre investimeve me këto investime është e pamundur të mos brengosesh nga sa shumë kohë është humbur dhe sa dëme janë bërë dhe nuk është e vështirë të kuptosh se është shumë e vështirë të rindërtosh diçka që është ndërtuar mbrapsht sesa të ndërtosh një gjë nga e para.

Kur mendon se me çfarë instrumentesh punonit ju deri para pak vitesh është e paimagjinueshme që në mes të Shqipërisë, në maternitete, mjekët hynin në salla si në salla të tregimeve nga koha e luftës, në aspektin e instrumenteve që kishin në dispozicion.

Sot është diçka tjetër. Kur mendon që çfarë bëhet në QSUT deri para disa vitesh. Një stacion i madh trenash që hynin nga të 4 anët, një rrëmujë e paimagjueshme për personelin, ndërkohë që sot është ende një kantier i hapur, sepse ju e dini mirë çfarë mungon akoma për ta plotësuar mozaikun. Apo kur mendon për të gjithë gamën e analizave dhe cilësinë e tyre.

Sot kushtet profesionale për mjekët dhe infermierët janë shumë më dinjitoze dhe krijojnë një bazë më solide për të marrë vendimet e duhura, apo kur mendon që sistemi i rimbursimit deri para disa viteve linte jashtë komplet afro 600 mijë njerëz të pasiguruar për shkak mundësisë dhe sot nuk ka asnjë jashtë.

Kur mendon që volumi financiar i rimbursimeve është më shumë sesa dyfishuar, pothuaj trefishuar dhe mbulon çdokënd, ndërkohë që deri dje, ju e dini mirë se çfarë vuanin spitalet edhe më kryesore në aspektin e vetë medikamenteve që i duheshin spitaleve.

S’diskutohet që është e paimagjinueshme se në çfarë gjendje ishte infrastruktura që nuk kryenin asnjë funksion tjetër vetëm se vinte në dispozicion mjeku me përkushtimin e tij pa qenë në gjendje ti ofrojë jo njerëzve që qaseshin në ato karikatina, por as vetes së vetë kushte normale pune.

Për të mos folur për atë që për mua mbetet një nga gjërat më të pashpjegueshme të historisë së gjithë këtyre viteve dhe me këdo që jam  munduar ta gjej një opinion me një farë shpjegimi nuk e kam gjetur dot nga gjithë mjekët që kam folur, ndërprerjen e specializimeve.

4 vite i vetmi vend në planet pa asnjë specializim. U krijua një hendek 4 vjeçar, që u përkthye në mungesë specialistësh në sistemin shëndetësor, e pakuptueshme, por shenjë kuptimplotë e faktit se sistemi nuk qeverisej, por shpërdorohej. Sot jam i bindur që shumë kush nga ata që kanë pasur mundësinë ta dëgjojnë doktorin që hapi takimin do kenë menduar gjithçka veç asaj që tha që është në prej mjekëve që kanë bërë një rrugëtim të admirueshëm jashtë vendit, se janë shumë dhe hyn në grupin e atyre që kanë vendosur të kthehen dhe të kontribuojnë këtu. Edhe unë nuk kam qenë në gjendje ta kuptoj siç e kuptoj sot për shkak të detyrës se sa e vështirë është jeta e një mjeku dhe një infermieri në kushtet kur nuk ka kushte.

Top Channel