Kamp refugjatësh në Shqipëri? Rama përgënjështron mediat britanike: Kurrë s’do lejojmë ngritjen e një kampi për vendet e pasura

18/11/2021 12:07

Kryeministri Edi Rama këtë të enjte ka mohuar raportimet nga mediat britanike se në Shqipëri do të instalohet një kamp refugjatësh.

Në një deklaratë për gazetarët, Rama tha se vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë një vend ku shtetet e pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre.

Pyetje: Si e shpjegoni faktin që mediat brtianike i mëshojnë faktit që ministrat janë shpresëplotë për një marrëveshje për instalimin e një kampi refugjatësh këtu në Shqipëri?

S’jam këtu për të shpjeguar se pse i bëjnë këto, por meqë më pyesni Shqipëria s’do jetë kurrë një vend ku vendet shumë të pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre, asnjëherë!”, tha Rama.

Emigrantët që tentojnë të shkojnë në Britani mund të akomodohen në një qendër azili në Shqipëri, sipas Daily Mail, raporton Top Channel.

Ministrat po diskutojnë hapjen e një qendre azili në vendin e Evropës Lindore, e cila besojnë se do të vepronte si një pengesë për emigrantët që kalojnë nga Franca veriore .

Kushdo që kërkon azil në Britani pasi arrin në rrugë të paligjshme, si me gomone dhe varka të vogla, do të dërgohet në qendrën e re brenda shtatë ditëve, sipas  Times .

Megjithatë, projekti do t’i kushtonte taksapaguesit britanik 100,000 £ për emigrant për fluturime dhe akomodim.

“Kjo është shpresa jonë e vetme, pasi asgjë tjetër nuk po funksionon”,  tha një ministër i paidentifikuar për gazetën.

Raportet e mëparshme të planeve për qendrat e përpunimit në det të hapur, duke përfshirë përdorimin e platformave të papërdorura të naftës në Detin e Veriut  të cilat u diskutuan vitin e kaluar përfundimisht rezultuan të pafrytshme.

Por gjasat për të nënshkruar një marrëveshje me Tiranën tani ‘dukeshin mirë’, tha një burim i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht se ministrja e jashtme shqiptare Olta Xhaçka e përgënjeshtroi idenë vetëm muajin e kaluar.

Top Channel