Presidenti i Republikës, Ilir Meta këtë të enjte ka preferuar t’i përgjigjet deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një mesazhi të publikuar nga zëdhënësi i tij Tedi Blushi në rrjetin social Facebook. Kreu i demokratëve Basha tha për disa media se në trekëndëshin e të keqes janë më shumë se tre persona, janë lidhjet me oligarkët dhe krimin kundër interesave të qytetarëve.
Në mesazhin e publikuar nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi shprehet keqardhje që Basha përfshin Presidentin e Republikës në krizat që sipas tij i ka shpikur vetë, ndërsa me tone ironie i rikujtoi edhe njëherë kryedemokratit katërkëndëshin e përgjegjësive madhore.
“Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99”, shkruan ndër të tjera zëdhënësi i kreut të shtetit në rrjetet sociale.
Ndërsa thekson më tej se për këtë arsye, i rikujton kryedemokratit Basha edhe katërkëndëshin e përgjegjësive të tij madhore, duke nënvizuar bojkotin e reformës administrative-territoriale; bojkotin e reformës në drejtësi; djegien e mandateve të deputetëve; zerimin e opozitës në pushtetin vendor që sipas Presidentit sollën kapjen totale të shtetit.
“Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë”, citohet nga mesazhi.
Gjithashtu, zëdhënësi i Presidentit, thekson më tej se për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: transparencë dhe fakte!
“Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Tedi Blushi.
Akuzat e kreut të opozitës, Lulzim Basha në Parlament se do të përballet me “Trekëndëshin e Bermudës” Rama-Berisha-Meta, dy ditë më parë morën një përgjigje nga Presidenti Ilir Meta, i cili sulmoi kreun e PD-së, duke i përmendur “katërkëndëshin e përgjegjësive”, ndërsa e fajëson këtë të fundit për situatën e krijuar në vend.
Në një intervistë për ABC News, Lulzim Basha tha se ai do të qëndrojë përballë ‘trekëndëshit të keqes” dhe në të nuk janë të përfshirë vetëm tre persona, por janë lidhjet me oligarkët dhe krimin kundër interesave të qytetarëve.
“Ka një karusel që vërtitet, janë të njëjtët oligarkë, të njëjtët kriminelë që përfitojnë, është i njëjti popull, të njëjta shtresa, të përndjekurit, pronarët, sipërmarrësit, rinia, intelektualët, profesionistët, shtresa e mesme, fermerët të cilët vetëm dëmtohen ekonomikisht, nga pikëpamja shoqërore, detyrohen të emigrojnë. Beteja e Partisë Demokratike është pikërisht me këtë trekëndësh të pushtetit të korruptuar, të krimit të organizuar, të oligarkisë dhe në këtë pikëpamje çdokush që është për interesat e veta personale, cilado qoftë zanafilla e këtyre interesave personale, shpallja non grata apo çfarëdo interesi tjetër që nuk rreshtohet me shqiptarët kundër këtyre tre fenomeneve, patjetër që është në vetvete një trekëndësh problematik për shqiptarët, një trekëndësh Bermude dhe përballë do të jetë jo vetëm Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike, jo vetëm mua, po do të ketë Partinë Demokratike dhe gjithë këto forca shoqërore, të cilat sot më shumë se kurrë, e kanë kuptuar që ka patur pakte të hapura dhe të fshehta për të ruajtur këtë status quo tashmë 30 vjeçare”, ka thënë Basha.
Top Channel