Drejtuesit e qeverisë dhe politikanë kanë dënuar vrasjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier dhe kanë kërkuar dënimin maksimal të autorit Klodian Çalameni, person me precedent të mëparshëm penal.
Presidenti i vendit, Ilir Meta, në një reagim në rrjetin social “Facebook”, shkruan se “vrasja e të miturit nga një person me precedentë penalë është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi”.
Nuk mjafton që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse, thotë Meta, por duhen marrë masa konkrete “për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t’u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar”.
Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat nga aeroporti i Rinasit këtë mëngjes u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë sa më shpejt ngjarjen e rëndë dhe të jepet masa më ekstreme që parashikon ligji në vend për autorin Klodian Çalamani.
Në lidhje me vendimin me vdekje për personat që kryejnë të tilla krime monstruoze Rama tha se edhe po të vendoset nuk do të evitohen të tilla ngjarje, duke përmendur se edhe në vendet më të zhvilluar ndodhin të tilla krime.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla shprehet se krime të rënda, si ajo e vrasjes së 8-vjeçarit në Fier, ndodhin dhe për për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit të institucioneve.
Nikolla, në një reagim për mediet sociale shkruan se nëse nuk do të shmangeshin disa përgjegjësi, Mateo sot do të ishte në shkollë
“Pas këtij krimi qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish. Nëse ato do të ishin shmangur, Mateo sot do të ishte në shkollë, me shokët dhe shoqet e tij. Krimineli ka dhunuar edhe më parë dhe për një krim të rëndë ka marrë një dënim përkëdhelës. Të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga kjo që ndodhi dhe autori i këtij krimi barbar duhet të marrë ndëshkimin maksimal. Shoqëria dhe komunitetet duhet gjithashtu të reflektojnë. Krimet ndodhin para syve edhe për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit tonë”.
Kryedemokrati Lulzim Basha shprehet se çdo rast që denoncohet në polici dhe çdo person që kërcënon rrezikun e qytetarëve duhet të trajtohet me vëmendje nga institucionet shtetërore.
“Jam thellësisht i tronditur për ngjarjen e tmerrshme kriminale që i mori jetën një 8 vjeçari në Fier. Si prind, ndaj sot dhimbjen me prindërit dhe familjarët e Mateos dhe lus Zotin t’ua lehtësojë dhimbjen!”
Drejtuesi politik i qarkut të Fierit, Taulant Balla i pranishëm në ceremoninë mortore të 8-vjeçarit i sugjeroi prokurorisë të mos zgjasë hetimet për vrasësin 38-vjeçar Klodian Çalameni.
“Është një nga ato ngjarje të rënda që kanë prekur çdo shqiptar, ne që jemi prindër më shumë se të tjerët ajo që na bën të jemi përgjegjës për ngjarjen është nevoja që të kërkojmë në mënyrë të menjëhershme nga prokuroria, gjykata ndëshkim maksimal për këtë kalbësirë të shoqërisë që duhet të kalbet në burg përfundimisht. Ndihmë financiare për familjen, ndërkohë që do t’i gjendemi në ndihmë familjes, por siç e thash nuk ka fjalë për të ngushëlluar familjen. Jemi po aq të shqetësuar sa ata, e gjitha institucionet shtetërore duhet të vendosin pikëpyetjet e tyre për reagimet”, tha Balla.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi thotë se kjo kambanë alarmi të mos mbetet vetëm në mesazhe ngushëllimi.
“Të gjithë duhet të reflektojmë për këto ngjarje të tmerrshme, për këta kriminelë që mund të gjenden kudo, për çdo rrezik të mundshëm dhune që mund të kthehet në një fatkeqësi shoqërore”.
Deputetja demokrate, Eralda Tase Bano e ka quajtur ngjarjen çnjerëzore. Ajo drejton gishtin te qeveria, që thotë se nuk po lufton krimin.
“Si përfaqësuese e Fierit në Parlament dua të shpreh revoltën që ka sot çdo shqiptar pse përbindësha të tillë lejohen të bashkëjetojnë pranë fëmijëve dhe familjeve tona! Si ka mundësi që vrasësit qarkullojnë të lirë, edhe pasi identifikohen nga policia? Mungesa e veprimeve konkrete nga qeveria për të luftuar krimin në çdo nivel po na kushton shumë rëndë si shoqëri.
Të paktën, institucionet e drejtësisë, prokuroria dhe gjykata duhet të na sigurojnë që përbindësha të tillë të mos shohin më dritën e diellit, për të mos dhunuar dhe për të mos marrë më jetën e fëmijëve dhe njerëzve të pafajshëm!”
Në orën 12:00 në Fier u mbajtur një minutë heshtje në nder të 8-vjeçarit që humbi jetën dje, me kërkesë të kryetarit të bashkisë së Fierit.
Top Channel