Kreu i qeverisë Italiane, Mario Draghi gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili ndodhet në Romë për vizitë zyrtare ripërsëriti se do ta mbështesë Shqipërinë në çdo centimetër të politikës së saj të jashtme.
Ai ka theksuar se marrëdhënia me Shqipërinë është e lashtë, duke theksuar se nuk ka nevojë për fjalë, por vetëm për përforcime.
“Patëm një bisedë vetëm ne të dy pak më parë shumë interesante dhe na bëri të njiheshim pak më shumë të dy. Ne ishim takuar edhe më parë, por nuk kemi pasur mundësinë të flasim sy më sy për disa kohë. Do doja ta falënderoja kryeministrin Rama për sinjalin e jashtëzakonshëm të solidaritetit dhe afërsisë që ai dhe Shqipëria i kanë dhënë Italisë në periudhë më të errët të pandemisë.
Marrëdhënia mes Italisë dhe Shqipërisë nuk kanë nevojë për shumë fjalë. Është një marrëdhënie shumë e lashtë, shumë e fortë, është një marrëdhënie e suksesshme. Nuk ka nevojë për fjalë, por vetëm për përforcime. Bashkësia italiane dhe bashkësia shqiptare në Itali është një bashkësi shumë e gjerë. Më duket shumë mirë e integruar.
Studentët shqiptarë janë të shumtë dhe frekuentojnë me përfitim shumë të madh universitetet tona. Sipërmarrjet italiane në Shqipëri janë vërtetë shumë, si ato me pronësi vetëm italiane, ashtu edhe ato me pronësi të përbashkët që do të thotë që edhe në këtë sektor, kategoritë e sipërmarrësve janë pranë”, sipas kryeministrit italian.
Ai tha se bashkëpunimi me Shqipërinë ushtrohet edhe në rrafshin e bujqësisë, turizmit, shërbimeve dhe tanimë edhe tranzicionit ekologjik, ku njofton se Rama do nënshkruajë në Ministrinë e Jashtme pjesëmarrjen në Komitetin Ekonomik të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë.
“Bashkëpunimi me Shqipërinë ushtrohet edhe në rrafshin e bujqësisë, turizmit, shërbimeve dhe tanimë edhe tranzicionit ekologjik. Italia gjendet pranë Shqipërisë në çdo gjë, në çdo centimetër të politikës së saj të jashtme, sa i përket afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Italia ndjek nga afër dhe duke ndjekur përshtatjen e standardeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian do vazhdojë ta bëjë dhe e ka bërë dhe kohët e fundit.
Është shumë e rëndësishme si për Italinë, ashtu edhe për Shqipërinë për stabilitetin në Ballkan sepse procesi i hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk do ndodhte vetëm, por duke konsideruar edhe hyrjen e vendeve të tjera të Ballkanit. Edhe bashkëpunimi sa i përket gjyqësorit dhe sigurisë ecën shumë mirë dhe sot folëm për këtë. Ka nisma të ndryshme mbi të cilat dy vendet do të punojnë dhe në këtë ditë sot, në mënyrë të veçante, Kryeministri Rama do nënshkruajë në Ministrinë e Jashtme pjesëmarrjen në Komitetin Ekonomik të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë. Me pak fjalë mund thjesht të them që Italia do i japë një mbështetje të bindur dhe të plotë Shqipërisë”, tha Draghi.
Top Channel