Lulzim Basha këtë të mërkurë iu komunikoi 71 drejtuesve të degëve se Partia Demokratike gjendet sot përballë dy zgjidhjeve; ose të jetë e pranueshme për Perëndimin, ose të shpallet non grata. Basha theksoi mbi të gjitha se kush shkel Statutin e partisë, qoftë ai edhe Sali Berisha do të përjashtohet.
Kryedemokrati Basha është shprehur shumë hapur, duke theksuar se gjendja e krijuar përfshin drejtpërsëdrejti marrëdhënien e PD-së me SHBA-të.
“Kemi përgjegjësinë historike, përpara demokratëve dhe shqiptarëve, që të mos lejojmë që partia që në 1992 erdhi në pushtet në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, që ndërtoi lidhjet më të forta me partnerët perëndimorë, të mos përfundojë non grata”, tha Basha.
Sipas tij, ky është thelbi që disa njerëz po përpiqen ta fshehin nga gjithë kjo histori, duke mos përjashtuar edhe ata që kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë moment për interesa personale, por edhe nga ata që duan të dëmtojnë PD-në.
“Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, ose ne do të jemi një parti e pranueshme për Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara, mikun tonë të madh, ose do të jemi një parti non-grata. Nuk ka zgjidhje tjetër dhe kushdo me mend në kokë e kupton që është ekzaktësisht kështu”, theksoi Basha.
“Do të bëjë Sali Berisha miting më 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 dhjetor si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD”, tha Basha.
Ai theksoi se veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD-së, e kanë përgjigjen në Statut.
Basha tha se do të zbatohet Statuti ndaj kujtdo, nëse shkelet vendimi i Kryesisë së partisë.
“Nëse kjo ndodh, tha kryedemokrati, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, duke përfshirë këtu edhe Sali Berishën”.
“Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi të tjerët”, tha Basha.
Masat disiplinore
Përplasjet në Partinë Demokratike kanë prekur fundin. Ndërsa prej ditësh po vlon debati për firmat e grumbulluara nga mbështetësit e z.Berisha dhe procedurave për zyrtarizimin e kërkesës së tyre për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, papritur është kryetari i PD-së Basha i cili i propozoi Kryesisë vendimin për thirrjen e Kuvendit me 18 dhjetor.
Në rendin e ditës së Kuvendit të propozuar nga Basha, parashikohet “vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.
Ndërkohë, Berisha dhe mbështetësit e tij kanë kërkuar që Kuvendi të mblidhet për të miratuar ndryshime në statut, me synim shkarkimin e Bashës. Ish kryeministri ka bërë të qartë se kërkon të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, pasi dy muaj më parë kryetari Basha vendosi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, në vijim të shpalljes “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Top Channel