“18 Dhjetori”/ Basha: Nuk do lejoj struktura paralele, Berisha kërkon bunkerizim, ilegalitet dhe destabilizim të PD

17/11/2021 16:47

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të mërkurë në mbledhjen me 71 kryetarët e degëve të kësaj partie ka theksuar se detyra kryesore e kësaj force politike është të dalë e bashkuar nga Kuvendi i 18 dhjetorit, si dhe vazhdimin e betejës kundër Edi Ramës.

Rama është kundërshtari ynë i përbashkët, pavarësisht çfarë mendojmë në këtë situatë që po kalojmë. Beteja me njeri- tjetrin nuk na çon askund. I shërben vetëm Ramës dhe patericave të tij, që po bëjnë gjithçka që beteja mes nesh të çojë në një ndarje të partisë. Ju jeni dëshmitarë të kësaj”, tha Basha.

Kryedemokrati është ndalur edhe me takimin me kryetarët e degëve tek thelbi i asaj që ka denoncuar prej ditësh ish-kryeministrin Berisha, duke theksuar se halli i tij është ta kthejë PD-në në mburojë të veten përballë SHBA-së.

Po ashtu, ai ngriti me kryetarët e degëve të PD-së shqetësimin për qëndrimet antistatutore të ish-kryetarit Sali Berisha, për të cilin deklaroi se “nuk njeh asnjë institucion të PD-së dhe asnjë vendimmarrje”.

Basha u shpreh i vendosur se nuk do të lejojë që këto kushte të krijuara të çojnë PD-në në izolim, duke e bunkerizuar atë për të shndërruar në mburojë të interesave personale.

Kjo histori e përdorimit të demokratëvë si mburojë e interesave personale të kujtdo merr fund njëherë e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prap nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti. Ai nuk njeh asnjë strukturë të Partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara”, tha Basha.

Ai theksoi se ish-kryetari i kësaj force politike e përdori si justifikim nisjen e foltores me qëndrimin se vendimi për të nuk ishte marrë nga forumet.

Pse nuk e përmend më Sali Berisha faktin me të cilin nisi foltoren, sepse nuk u votua në Kryesi? Sepse ky ishte një justifikim. Ja ku është vendimi i Kryesisë me 28 vota pro për mbledhjen e Kuvendit dhe ai përsëri thotë s”e njoh. Është e qartë se sido që të merrej ai vendim, me çfarëdo votimi, Sali Berisha dëshmon se nuk do ta njihte. Sepse sot ai nuk njeh asnjë organ zyrtar të PD-së”, tha kryedemokrati.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se nuk do lejojë struktura paralele, duke theksuar se do të zbatohet statuti për shkelje të vendimit të Kryesisë.

Në mbledhjen me kryetarët e degëve, Basha tha se vota e Kryesisë i dha përgjigje kujtdo që dyshonte në procedurat demokratike në parti.

Basha tha se më 18 dhjetor, mbahet Kuvendi Kombëtar dhe nga ai Kuvend demokratët do të dalin më të bashkuar dhe partner të palëkundur të SHBA-së dhe BE-së.

Do të bëjë Sali Berisha miting me 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 dhjetor si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi dhe destabilizimi i PD. Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjen në Statut. Dhe do ta zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi të tjerët”, tha Basha.

Përplasjet në Partinë Demokratike janë thelluar akoma edhe më shumë. Ndërsa prej ditësh po vlon debati për firmat e grumbulluara nga mbështetësit z.Berisha dhe procedurave për zyrtarizimin e kërkesës së tyre për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, papritur është kryetari i PD-së Basha i cili i propozoi Kryesisë vendimin për thirrjen e Kuvendit me 18 dhjetor.

Në rendin e ditës së Kuvendit të propozuar nga Basha, parashikohet “vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.

Ndërkohë, Berisha dhe mbështetësit e tij kanë kërkuar që Kuvendi të mblidhet për të miratuar ndryshime në statut, me synim shkarkimin e Bashës. Ish kryeministri ka bërë të qartë se kërkon të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, pasi dy muaj më parë kryetari Basha vendosi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, në vijim të shpalljes “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA