Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar të martën (16 nëntor), Rifat Latifin, ministër të Shëndetësisë.

Rifat Latifi ka ushtruar profesionin e mjekut në Shtetet e Bashkuara dhe tash do të udhëheqë me sektorin e shëndetësisë në Kosovë.

Ministri Latifi në një konferencë me kryeministrin e Kosovës tha se do të angazhohen që të ngrihen standardet mjekësore, edukimi, trajnimi dhe specializimi për punëtorët shëndetësorë.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ne do të investojmë në rritjen e kualitetit të shërbimeve. Shërbimet do të krijojnë të ardhura, me të ardhurat e shërbimeve ne investojmë sërish në kualitet. Kur të ofrojmë shërbimet e ndryshme dhe ngritje profesionale të rinjve, mjekëve, infermierëve do ta ndërpresim largimin e trurit shkencor dhe mjekësor në vendet e rajonit e më gjerë”, tha Latifi.

I pyetur se si do t’i përgjigjet ndonjë vale të mundshme me koronavirus, ministri Latifi tha se sapo ka ardhur nga SHBA-ja dhe pret të takohet me ish-ministren e Shëndetësisë për të marrë më shumë informacione.

“Por, virusi është aktual do të jetë aktual dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”, tha Latifi.

Latifi ka përfunduar studimet në Universitetin të Prishtinës, ndërkaq specializimet për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji dhe reanimacion i ka përfunduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kirurgu, Rifat Latifi, vjen në këtë pozitë pas dorëheqjes së Arben Vitisë, në tetor të këtij viti. Deri tani, ministria ishte udhëhequr nga Dafina Gexha-Bunjaku.

Vitia i ishte futur garës për kryetar të Prishtinës, por nuk mori besimin e qytetarëve për të udhëhequr Prishtinën./REL/

Top Channel