Buxheti, Xhafaj: Mjediset e Gjykatës së Lartë në gjendje të mjerueshme

16/11/2021 10:33

Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj në fjalën e tij në Kuvend e cilësoi si një lajm të mirë rritjen e buxhetit për SPAK.

Gjithashtu ai përmendi gjendjen aktuale të gjykatave në vendin tonë, duke theksuar se Gjykata e Lartë është në gjendje të mjerueshme.

“Vendimmarrja duhet të jetë gjithë përfshirëse. Lajm shumë i mirë rritja e ndjeshme buxhetit të SPAK.  Le të shpresojmë të shohim rezultate më të mira, se ato që kemi parë deri tani në drejtësi. Buxheti për institucionet e drejtësisë nuk mund të jetë i ngjashëm me institucionet në varësi të ekzekutivit. E papranueshme që kur kanë kaluar 2 vite që nga fillimi punës së SPAK,  flitet për mungesë zyrash për prokurorët dhe hetuesit e BKH-së. Ende nuk ka një përllogaritje në buxhet me ndryshimin e hartës gjyqësore. Nuk ka asnjë angazhim për rritjen e studentëve në shkollën e magjistraturës. Mjediset aktuale në Gjykatën e Lartë janë në gjendje të mjerueshme dhe nuk po gjenden fonde për ndërtimin e një gjykate të re. Nuk duhet të mos shohim edhe anën tjetër, përgjegjshmërinë e vet institucioneve për buxhetin. Besoj se para së gjithash duhet të ndryshojë politikbërja për menaxhimin e buxhetit të këtyre institucioneve. Njerëzit e drejtësisë janë sot njerëzit më të paguar në vend. Nuk janë dhuratë e askujt, janë investim nga taksat e qytetarëve të këtij vendi. Kërkojmë nga institucionet e drejtësisë më shumë përgjegjshmëri transparencë, luftë kundër krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërinë në nivele të larta, mbështetjen e buxhetit e keni”, tha Xhafaj.

Top Channel