“Vendimi i Kryesisë, ilegjitim”/ Zbulohen tre deputetët demokratë që ‘braktisin’ Bashën dhe do marrin pjesë në Kuvendin e thirrur nga Berisha

15/11/2021 18:35

Partia Demokratike është në një krizë të thellë. Ish-lideri historik dhe kryedemokrati i tanishëm i saj janë vënë kundër njeri-tjetrit dhe kërkojnë drejtimin e saj.

Ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se kishte mbledhur firmat e nevojshme nga anëtarësia dhe deklaroi thirrjen e Kuvendit Kombëtar në 11 dhjetor.

E teksa kjo është kundërshtuar nga demokratët, Basha doli sot dhe në mbledhjen e Kryesisë deklaroi se Kuvendi legjitim do të thirret në 18 dhjetor.

Në mbledhjen e Kryesisë kanë marrë pjesë deputetët demokratë, disa prej të cilëve kanë mbështetur hapur Berishën dhe kanë qenë prezentë në foltoret e tij.

Mes deputetëve që ka kundërshtuar vendimin për mbledhjen e Kuvendit me 11 dhjetor dhe e ka konsideruar atë ilegjitim është deputetja demokrate Albana Vokshi.

“Vendimi që do marrë Kryesia është ilegjitim, se partia ka më shumë të emëruar se të zgjedhur”, tha Vokshi.

Po ashtu edhe Edi Paloka ka kërkuar që Kuvendi të mbahet në 11 dhjetor dhe i ka komunikuar Bashës propozimin si mund të verifikohen firmat e delegatëve, me nga një përfaqësues për secilën palë.

Kështu tre deputetët që kanë deklaruar hapur se do të marrin pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha janë Albana Vokshi, Edi Paloka dhe Aldo Bumçi.

Ndërsa deputeti Ervin Salianji dhe anëtari i Kryesisë Fitim Zekthi kanë mbajtur të njëjtën linjë si kryedemokrati Basha për mbledhjen e Kuvendit me 18 dhjetor.

Top Channel