“U përgjigjeni me dhunë”/ Basha: Fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje, ju i çoni policët t’i përzenë

15/11/2021 11:28

Fermerët nuk po mbështeten nga qeveria, sipas kryedemokratit Lulzim Basha.

Në fjalën e tij në kuvend, ku në rend të ditës është projekt buxheti i vitit 2022, kreu demokrat tha se bujqësia, që jep gati 20% të prodhimit të brendshëm bruto, merr në këmbim mbështetjen më të ulët në krahasim me vendet e rajonit.

Kjo, sipas tij, i bën jo konkurruese produktet tona:

Po i shkatërron fermerët tanë. Dhe ndërkohë që fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, përgjigjen e vetme keni dhunën policore për të shuar protestën e tyre të drejtë.

Edhe tani që flasim, fermerët janë në rrugë për të drejtat e tyre, për mbijetesën e tyre, për të marrë atë që kolegët e tyre në rajon e gëzojnë çdo ditë, nga qeveri që mbështesin bujqësinë, që u shpërblejnë mundin dhe sakrificën me të cilën kontribuojnë në ekonomi.

Brenga, dëshpërimi dhe zemërata e tyre janë të përligjura, sepse ata detyrohen të flakin produktet e tyre, detyrohen të emigrojnë, të punojnë tokat e vendeve fqinjë, sepse paratë e taksave që ju shpërdoroni, nuk shkojnë për ta”.

388 milionë euro duhet të paguajë shteti shqiptar nga arbitrazhet, tha Basha, shifër që sipas tij mund të përdorej për bujqësinë apo për familjet në nevojë.

Mjafton të shohim raportin e KLSH-së, ku thuhet se shteti shqiptar duhet të paguaj nga buxheti 388 milionë euro për vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Arbitrazhet e famshme, ku kur bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve, ju vetëm humbni.

Një shumë e frikshme, që mund të ishte përdorur  për bujqësinë, për ata familjarë që sot dalin në rrugë për të kërkuar ndihmën që meritojnë”.

Fermerët e Lushnjës, për të disatën ditë, kanë dalë sot në protestë.

Ata kundërshtojnë ndryshimet e paketës së re fiskale për vitin 2022. Heqja e TVSH-së së rimbursueshme nga 6 në 0%, ka sjellë pakënaqësi te fermerët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA