
Steve Bannon, ish-këshilltar i ish-presidentit Donald Trump, u dorëzua te FBI, mëngjesin e ditës së sotme, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti akuza për shpërfillje të Kongresit, pasi ai sfidoi një fletëthirrje të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton trazirat e 6 janarit në Kapitol.
Bannon mbërriti në zyrën e FBI-së në Uashington, pak para orës 9:40 të mëngjesit. Ai u prit nga mediat dhe ishte sfidues kur iu drejtua kamerave jashtë ndërtesës së FBI-së, duke thënë: “Ne po e rrëzojmë regjimin e Bidenit”.
Departamenti i Drejtësisë tha se Steve Bannon, 67 vjeç, akuzohet për refuzimin e paraqitjes për deponim dhe për refuzimin e dhënies së dokumenteve në përgjigje të fletëthirrjes së komisionit. Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të mund të dilte para gjykatës.
Aktakuza u ngrit pak pasi ish shefi i Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadoës, kundërshtoi të premten një fletëthirrje të ngjashme nga komisioni. Kryetari i komisionit, ligjvënësi Mississippi, Bennie Thompson, tha se ai do të rekomandojë akuza për shpërfillje kundër zotit Meadosës javën e ardhshme.
Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, tha se akuza kundër zotit Bannon pasqyron “përkushtimin e palëkundur” të Departamentit të Drejtësisë për të siguruar që departamenti t’i përmbahet sundimit të ligjit. Avokati i zotit Bannon nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi që kërkonte koment prej tij.
Kjo nuk është hera e parë që Steve Bannon përballet me ligjin. Në muajin gusht të vitit të kaluar, ai u arrestua nën akuzat se së bashku me tre bashkëpunëtorët e tij grabitën donatorët, duke u përpjekur të financonin një mur në kufirin jugor. Ish presidenti Trump më vonë e fali zotin Bannon në orët e fundit të presidencës së tij.
Top Channel