Thellohen përplasjet brenda PD-së/ Vokshi dhe Paloka kundër datës 18 dhjetor, “vendimi është ilegjitim”

15/11/2021 19:02

Përplasjet brenda Partisë Demokratike këtë të hënë u thelluan akoma edhe më shumë pas vendimit të kreut të kësaj partie Lulzim Basha për të mbledhur Kuvendin Kombëtar me datë 18 dhjetor. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, kanë paraqitur javën e shkuar kërkesën, mbështetur në firmat e 4200 anëtarëve të Kuvendit, për ta thirrur atë një javë më parë.

Në mbledhjen e kryesisë, e cila ka nisur sot pasdite, deputetët Albana Vokshi dhe Edi Paloka thanë se vendimi që do marrë Kryesia është ilegjitim, pasi partia ka më shumë të emëruar se të zgjedhur, duke kërkuar kështu me ngulm mbajtjen e Kuvendit me datë 11 dhjetor.

Në fjalën e tij, Paloka i ka komunikuar kreut të PD-së Lulzim Basha edhe propozimin se si mund të verifikohen firmat e delegatëve, duke rekomanduar nga një përfaqësues për secilën palë.

Deputeti Ervin Salianji dhe anëtari i Kryesisë së PD-së, Fitim Zekthi në fjalën e tyre mbajtën të njëjtën linjë si të kryetarit Basha, duke këmbëngulur në datën 18 dhjetor.

Kurse Vokshi, Paloka dhe Bumçi i janë përmbajtur datës së propozuar nga ish-kryeministri Berisha, pra 11 dhjetorin.

Ndërsa prej ditësh po vlon debati për firmat e grumbulluara nga mbështetësit e Berishës dhe procedurave për zyrtarzimin e kërkesës së tyre për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, papritur është Basha i cili i propozoi sot Kryesisë vendimin për thirrjen e Kuvendit më 18 dhjetor.

Burimet nga mbledhja shpjeguan se kryetari demokrat ka qenë i prerë ndaj ish-kryetarit Berisha duke deklaruar se “nuk do të ketë kuvend kombëtar të PD me 11 dhjetor”, datë e cila përkon me themelimin e kësaj force politike.

11 Dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD. Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është ti shërbejmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës”, mësohet të jetë shprehur Basha.

Projektvendimi që shoqëron propozimin e Lulzim Bashës parashikon gjithashtu se “çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike”, duke paralajmëruar kështu masa disiplinore, ndaj kujtdo që do t’i kundërvihej.

Në rendin e ditës së Kuvendit të propozuar nga Basha, parashikohet “vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.

Po ashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij kanë kërkuar që Kuvendi të mblidhet për të miratuar ndryshime në statut, me synim shkarkimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Ish kryeministri ka bërë të qartë se kërkon të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, pasi dy muaj më parë Basha vendosi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, në vijim të shpalljes “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit

Situata e krijuar duket se po çon forcën kryesore të opozitës gjithnjë e më shumë drejt një përçarjeje të pashmangshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA