Basha thirri Kuvendin Kombëtar në 18 dhjetor, Berisha: Rama hiq dorë! Ja mesazhi ‘i veçantë’ për Kryedemokratin

15/11/2021 19:18

Ish kreu historik i PD-së, Sali Berisha ka dalë në një konferencë për media, pasi Kryedemokrati Basha vendosi sot që të thërrasë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike më 18 dhjetor, fiks një javë nga data që ka deklaruar ish-kryeministri Sali Berisha, 11 dhjetor.

Berisha i bën thirrje Kryeministrit Rama të heqë dorë, pasi sipas tij të dy janë të dy bashkë kundër PD-së.

Ndërsa për demokratin Basha ka një mesazh të veçantë: “I them me 11 dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e PD, natyrisht ky kuvend ka meritën historike jo vetëm në Shqipëri por në Europë dhe më gjerë”.

Berisha: Të harrojë kush se mund të luajë me revolucionin paqësor që po zhvillohet në Shqipëri. Ju garantoj se ky është më paqësori, por nga ana tjetër mjerë ata që guxojnë të përballen me të. Të shkretët ata që kërkojnë të përballen me revolucionin. Ne po ndjekim me rigorizitet ligjet ekzistuese, ndaj i them Ramës hiq dorë se do hysh në histori njëlloj si daja yt, që kërkonte ti bllokonte pluralizmin me tanke. Mos u shërbe me pengje dhe stërpengje, idealet e demokratëve nuk mund ti mposhtë askush kurse peng-kryetarit nuk kam më një mesazh të veçantë sepse ai komandohet nga pengmarrësi por i them me 11 dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e PD, natyrisht ky kuvend ka meritën historike jo vetëm në Shqipëri por në Europë dhe më gjerë. Nuk e thërret përfaqësia por anëtarësia, sepse nuk deshte ta thërriste përfaqësia që donte ta bllokonte.

Cilido që hyn në atë Kuvend hyn strikt si anëtarë i barabartë me gjithë të tjerët. Sikundër e njoftoi peng Bashën 11 dhjetori është vetëm data e fillimit të Kuvendit, sepse ai vazhdon deri në rivendosjen e plotë të pluralizmit në Shqipëri; Mos mendo Edvin se duke vjedh data do i dalësh përpara këtij Kuvendi. Ky është revolucion paqësor por askush nuk mund të luajë me të!

Kujtojmë se, 4200 firmat e delegatëve të nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u dërguan të mërkurën, në selinë e Partisë Demokratike dhe u depozituan në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i cili gjithashtu është shfaqur si përkrahës i lëvizjes së ndërmarrë nga Berisha.

Ish-kryeministri Berisha u rikthye publikisht në skenë, pasi kryetari demokrat vendosi largimin e tij nga grupi parlamentar demokrat, një vendim i tillë u mor pas atij të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili përfshiu Berishën dhe familjarët e tij në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë, duke i ndalur atij dhe familjes së tij hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

FOTO GALERI
2/23

Top Channel