
“Me datë 18 dhjetor, 2021 Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar”. Lajmi është konfirmuar nga kreu i kësaj partie, Lulzim Basha këtë të hënë në mbledhjen e Kryesisë.
Basha tha se Berisha “mund t’i shpallë edhe luftë SHBA nëse dëshiron”, por brenda partisë sipas tij nuk do të lejohet që të ketë struktura paralele.
“PD nuk mund të funksionojë me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele dhe Dodiku në Bosnjë”, është shprehur Basha gjatë mbledhjes së Kryesisë.
Sipas tij, Berisha po del kundër SHBA dhe në këtë situatë me ish-kryeministrin pjesë të strukturës së partisë nuk mund të ketë bashkëpunim. Ndër të tjera, Basha ka paralajmëruar se do të ketë persona të tjerë brenda PD që do të shpallen ‘non grata’.
“Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës. Disa të tjerë, që presin të shpallen ‘non grata’, u intereson kjo përplasje për të mbrojtur veten e tyre”, është shprehur kreu i PD.
Basha është zotuar se nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit të PD më 11 dhjetor duke thënë se “ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij”.
“11 Dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD. Për këtë arsye, për ti shërbyer demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës, i propozoj Kryesisë së Partisë Demokratike: Thirrjen e Kuvendit Kombëtar me 18 dhjetor”, deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Në fjalën e tij, kryedemokrati theksoi se pas disa vendimesh të marra nga ai, në pamje të parë, mund të duket se i turbullojnë demokratët, mund edhe t’ia arrijnë për një kohë të shkurtër, por demokratët kanë mençurinë për të dalluar sipas tij të mirën nga e keqja, për të dalluar ata që bëjnë sikur luftojnë dhe ata që vërtetë janë në betejë me regjimin e Edi Ramës.
Kryedemokrati, hodhi akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Berisha, duke theksuar se çfarë pune kanë me të dhe me PD-në, personazhe si Aqif Rakipi, Suel Çela, Rrahman Rrahja apo Tom Doshi.
Basha tha se në lidhje me këtë, shumë njerëz pyesin, ç’ne këta njerëz me Kuvendin e Partisë Demokratike dhe për çfarë arsye investohen këta personazhe me një proces të tillë.
“Shpjegimi është i thjeshtë: Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës. Disa të tjerë, që presin të shpallen non grata, u intereson kjo përplasje per te mbrojtur veten e tyre. Të gjithë këta që përmenda në një formë a tjetër janë njerëzit e Ramës, i shërbejnë vetëm Ramës, nuk vrasin mendjen as shqetësohen që demokratët janë pa bukë, janë nën presionin e pushtetit, janë papunë”, tha Basha.
Sipas tij, këtyre personazheve Edi Rama u ka shkelur syrin të futen në betejë nën flamurin e Berishës për të përçarë PD-në dhe për t’i zgjatur jetën politike atij.
“Kemi sakrifikuar shumë për të mos e bërë pis PD-në. Për ta mbajtur Partinë Demokratike të pastër nga krimi. S’ka për të ndodhur as tani, as sot dhe as nesër. Nuk do të ketë kuvend kombëtar të PD me 11 dhjetor. Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është ti shërbëjmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se PD do të përqendrohet tek ajo që kemi marrë përsipër, t’i paraprijmë demokratët drejt qeverisjes së vendit, të mundim të vetmin kundërshtar që kemi dhe të krijojmë një të ardhme për shqiptarët.
Këtë të hënën, Basha i propozoi Kryesisë së PD-së thirrjen e Kuvendit Kombëtar sipas një rendi dite me tre pika, duke shtuar më tej se nuk ka një Kuvend të PD-së në 11 dhjetor, por një thirrje për t’i kundërvënë SHBA-ve një pjesë të vogël të PD-së për interesa personale, që do të sillnin izolimin e PD-së nga SHBA-të. Ai i propozoi Kryesisë një rend dite për Kuvendin legjitim Kombëtar të 18 Dhjetorit, të thirrur prej tij.
Rendi i ditës i propozuar nga kryetari i PD Lulzim Basha:
Mes disa pikave të draft vendimit për çështjen e organizimit dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor ka edhe një pikë tjetër me rëndësi, që synon disiplinimin e strukturave.
“Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike”, thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kryetari i PD.
Berisha dorëzoi 4200 formularët në PD
Mbi tryezën e një konference shtypi, mbajtur një javë më parë ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha kishte disa pirgje me shkresa të cilat siç deklaroi, ishin formularët e firmosur nga 4200 delegatë të Kuvendit kombëtar të Partisë Demokratike. Ato u depozituan më pas në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka. Formularët do të qëndrojnë në zyrën e Edi Palokës deri ditën e Kuvendit. Berisha shpjegoi se ideja për të depozituar formularët e për t’i mbajtur ato të mbyllur deri ditën e Kuvendit, vjen nga fakti që përmbajnë të dhëna personale që nga numri i kartës së identitetit deri te ai i kartës së anëtarësisë.
Gjatë turit të tij në bazën demokrate, Berisha ka këmbëngulur në largimin e Lulzim Bashës, por duke ofruar variante të ndryshme. Nga Pogradeci, deklaroi se kryetari demokrat duhet të dorëhiqej, ose përndryshe do të shkarkohej. Ndërsa një ditë më pas u shpreh se “kryetari pa parti, në vlerësimin tim, duhet të votohet nga anëtarësia e partisë, ndonëse Kuvendi ka pushtet absolut për shkarkimin e tij, por këto janë çështje që do zgjidhen gjatë rrugës”.
Statuti i Partisë Demokratike e parashikon shkarkimin e kryetarit nga Kuvendi, por mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha u rikthye publikisht në skenë, pasi kryetari demokrat vendosi largimin e tij nga grupi parlamentar demokrat. Një vendim që pasoi atë të Departamentit amerikan të shtetit, i cili e përfshiu ish-kryeministrin në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë, duke i ndaluar atij dhe familjes së tij hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane Yuri Kim, në një intervistë për televizionin Top Channel, la të kuptohej qartë të mërkurën se nuk mund të ketë një bashkëpunim me një PD të drejtuar nga zoti Berisha. Ndaj këtij qëndrimi të ambasadores amerikane, Berisha reagoi duke u shprehur se “zonjës dhe cilitdo tjetër, që kanë një provë, një fakt të vetëm, i ftoj t’i dërgojnë pranë gjykatës në Paris. Çështja e kafes, të vazhdojë të pijë kafe me livadhet e Qeverisë”.
Top Channel