“Balona tabake t’i jep shifrat”, Rama thërret Bashën në Kuvend/ Kreu i PD: Kërko falje, ajo është doktoreshë shkencash

15/11/2021 12:04

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar nënkryetaren e PD Jorida Tabaku, teksa i është përgjigjur akuzave të kryetarit të PD-së Lulzim Basha për ekonominë dhe statistikat për varfërinë në vend. 

“Lulzim hajde thuaje këtu sa e ka Serbia inputet për bujqësinë ose pyet atë që të jep shifrat ty, megjithëse t’i jep si balonë tabakë. Ça ka se balona tabakë është balona më e mirë se ka dhe tahuke. S’kam lidhje fare me mbiemrat, flas për balonat. Hajde thuaje këtu sa e ka TVSH-në. Asnjë problem etik s’ka këtu. Balonat janë objekte me të cilat kemi luajtur kur kemi qenë të vegjël. Ka pasur tabakë dhe tahuke. Tabaket ishin një nivel më lartë. TVSH për inputet është sot 10%. Pse e kemi ndryshuar? Bashkë me 6% e TVSH se grumbulluesve. Jeni bërë si revizorë të komisionit të shtetit të asaj kohe. Të gjitha këto para të cilat faktikisht nuk do shkojnë më në xhepin e 138 grumbulluesve, as në xhepin e tregtarëve të inputeve por janë futur në skemën e mbështetjes që kanë shkuar në 7.1 mld direkte.

Skema është shumë më e drejtpërdrejt është e lidhur me fermën, me agropërpunuesin, me prodhuesin dhe nuk është një skemë e cila në fund fare e mbledh gjithë kontributin e vet inkurajues tek grumbulluesi. Shifrat nuk janë opinione. I keni para syve. Kur flisni buxhetin keni të drejtë të kërkoni shumë më tepër se prandaj jeni këtu. Por duhet argumentuar, jo t’ia heqim këtyre. Ju nuk hiqni dot asgjë, ju mund të votoni kundër dhe kaq. Ju nuk hiqni dot asgjë dhe as frenoni dot gjë në këtë rrugë ku nuk na ndalni dot ju. Sot jo, nesër jo e jo. Do ta bëjmë Shqipërinë dhe për fëmijët tanë dhe për fëmijët tuaj. Këto përrallat dhe elegjitë me hiperbola, ora e gramafonit jepi, fillo punën”, deklaroi Rama.

Menjëherë pas kësaj Basha u ngrit i acaruar dhe i kërkoi Ramës që të ofrojë ndjesë për ofendimin që i bëri zonjës Tabaku.

Basha: Standarde të dyfishta sa i përket sjelljes nuk duhet të aplikohen. Rama fyen individualisht dhe në grup opozitën. Zonjës që ju referove, është doktoreshë shkencash kur ti bridhje urave të Parisit. Kujdes kur matesh me ne, ta ka thënë paraardhësi yt. Vijmë nga universitetet më të mira të europës, për t’i shërbyer këtij vendi. Ti je prodhimi i gropës së Hajdin Sejdisë, i ke hipur kalit të lartë me taksat, vjedhjet e shqiptarëve. Je ai që je, dhe ke mbetur ai që ke qenë. Mati mirë fjalët kur i drejtohesh zonjave të PD. Fjalorin e shteruar dhe banalitetin ruaje për shtëpinë tënde, mos më bëj të të jap kinon e plotë që meriton. Je një zero, je një hiç. Të tillë të ka prodhuar vetvetja, kjo është taksa e shoqërisë. 

Top Channel