Janë aleatë, por Vladimir Putin nuk ia kurseu paralajmërimet presidentit bjellorus. Putin tha se Aleksandar Lukashenko nuk është këshilluar me të, përpara se të ngrejë si mundësi, ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror të Europës, ndërsa shtoi se një lëvizje e tillë do të dëmtonte lidhjet mes Moskës dhe Minskut.
Lukashenko kërcënoi së fundi se do të hakmerret ndaj çdo sanksioni të ri të Bashkimit Europian ndaj vendit të tij lidhur me çështjen emigrantëve të bllokuar në kufi me Poloninë.
Ai sugjeroi se mund të ndalojë transportimin tranzit të gazit rus dhe mallrave të tjera nëpërmjet Bjellorusisë.Paralajmërimi i tij ndikoi në një rritje të përkohshme të çmimit të gazit në Evropë, e cila siguron rreth një të tretën e sasisë së gazit nga Rusia, përfshirë dhe përmes tubacionit Yamal-Europë, i cili kalon përmes Bjellorusisë, në Poloni dhe Gjermani. Seksioni bjellorus i tubacionit Yamal-Evropë është në pronësi të kompanisë shtetërore ruse, Gazprom.
“Kohët e fundit kam folur me (Lukashenkon) dy herë dhe ai nuk ma përmendi këtë gjë asnjëherë dhe nuk e la as të kuptohet”, tha Putin në një intervistë për televizionin shtetëror. “Sigurisht në teori, Lukashenko si president i një vendi tranzit mund të urdhërojë që furnizimet tona (gazit) të ndërpriten. Por kjo do të nënkuptonte një shkelje të kontratës sonë të tranzitit të gazit dhe shpresoj që kjo nuk do të ndodhë”, shtoi shefi i Kremlinit.
Prej vitesh, Rusia ka qenë aleati më i afërt i Bjellorusisë, duke ndihmuar me gjithçka, nga sigurimi i parave të thata, tek furnizimi me energji me çmim të lirë tek ndihma ushtarake. Komentet e Lukashenkos erdhën në në një kohë të ndjeshme për eksportet e energjisë ruse drejt Evropës.
Top Channel