Kriza e emigrantëve në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë po përshkallëzohet. Dhjetëra emigrantë janë arrestuar teksa kaluan kufirin ilegalisht për të hyrë në Poloni.
Autoritetet polake paralajmërojnë se një thyerje tjetër më e madhe e kordonit kufitar pritet të ndodhë duke akuzuar Bjellorusinë se po hap thashetheme të rreme në kufi.
Vendet perëndimore akuzojnë Bjellorusinë se i ka ftuar emigrantët në vend duke i dërguar më pas drejt kufirit polak.
Agjencitë e ndihmave humanitare u shprehën se 10 emigrantë kanë vdekur deri më tani duke paralajmëruar për një krizë humanitare edhe më të rëndë ndërsa temperaturat vijojnë dhe ulen deri në ngrirje.
Ministrat e jashtëm të BE do mblidhen të hënën për të zgjeruar sanksionet ndaj Bjellorusisë. Shefi i diplomacisë Joseph Borrel u shpreh se sanksionet do zgjerohen edhe për linjat ajrore, agjencitë e udhëtimit dhe zyrtarë që bëjnë trafikimin e emigrantëve.
Kryeministri polak nga ana tjetër pritet të hedhë në tryezë propozimin për të izoluar tërësisht kufirin me Bjellorusinë për të ndërprerë regjimin e
Lukashenko nga çdo përfitim ekonomik. Më tej ai tha se të gjitha vendet duhet të kontribuojnë për të ngritur një mur në kufi.
Britania gjithashtu ka hyrë në lojë me ministrin e jashtëm që i ka bërë thirrje Rusisë të bëjë presion ndaj Lukashenkut për të ndalur krizën.
Top Channel