Në Bullgari po mbahen sot zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale të cilat pritet t’i japin fund një krize politike që ka zgjatur disa muaj.
Bullgarët presin formimin e një qeverie e cila do të trajtojë pandeminë e COVID-19, krizën energjetike dhe korrupsionin.
Në bazë të hulumtimeve, asnjë parti nuk pritet të fitojë një shumicë parlamentare, dhe si rrjedhojë bisedimet për koalicione të mundshme pritet të jenë të vështira në një parlament thellësisht të ndarë.
Dështimi i mundshëm për të formuar një Qeveri pritet të shkaktojë ngecje në planet e këtij vendi anëtar të Bashkimit Evropian për të adoptuar monedhën euro deri në vitin 2024. Vonesa pritet të ketë edhe në masat që duhet ndërmarrë për të zbutur ndikimin te qytetarët nga rritja e çmimit të energjisë për të këtë dimër.
Që nga rënia e komunizmit, tre dekada më parë, Bullgaria, vend anëtar i NATO-s, përballet me një shkallë të lartë korrupsioni.
Nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Bullgaria llogaritet të ketë shkallën më të lartë të varfërisë ndërsa ka pasur kritika edhe për lirinë e mediave.
Bojko Borisov, i cili ishte kryeministër për më shumë se një dekadë, dha dorëheqjen në muajin prill pas protestave kundër korrupsionit dhe partisë së tij të qendrës së djathtë GERB, Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë.
Kjo çoi në mbajtjen e dy palë zgjedhjeve parlamentare në prill dhe korrik!
Top Channel