Në një intervistë për televizionin francez, France24, kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhëniet me Kinën duke thënë se nuk ka asgjë sa i përket investimeve apo ndihmës kineze. Për Turqinë, thotë se është partner strategjik i Shqipërisë.
I pyetur nëse Turqia ka sjellë ndikim për çështjen e islamizmit duke sjellë model mysliman, Rama tha prej 30 vitesh, vetëm një shami është ndërtuar me ndihmën e komunitetit mysliman turk në vendin tonë.
Pyetje: Pritet në Tiranë ministrin e jashtëm kinez. Për çfarë ka realisht nevojë vendi juaj që të ndihmohet nga Kina? A është në përputhje edhe me marrëdhëniet tuaja shumë të mira me SHBA dhe Turqinë e Erdogan? Shihet se ka interes për këto fuqi në rajonin tuaj në Ballkan dhe në vendin tuaj.
Edi Rama: Në kornizën e bashkëpunimit të Kinës me të ashtuquajturin grup të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, pra vendet ish komuniste, formati 17+1, Shqipëria nuk ka marrë thuajse asgjë. Do të thotë se kemi marrëdhënie të mira, por përsa i përket pranisë së investimeve apo ndihmës kineze, nuk ka asgjë të veçantë për t’u theksuar. Ndërkohë Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë, ashtu si Greqia dhe Italia. Është një trekëndësh shumë i rëndësishëm historikisht dhe tradicionalisht. Janë popuj, vende mike dhe për mendimin tim personalisht Turqia nuk ka një strategji në Ballkan që bie ndesh me integrimin e Ballkanit në BE.
Pyetje: As për islamizmin, për çështjen e islamit dhe modelin e tij pikërisht mysliman?
Edi Rama: Nuk ka asgjë në këtë drejtim, kam dëgjuar shumë fjalë dhe kam lexuar shumë shkrime që thonë se xhamitë po lulëzojnë në Ballkan, duke përfshirë Shqipërinë, por ju them se që prej 30 vjetësh, vetëm një xhami, një xhami e bukur, është ndërtuar me ndihmën e komunitetit mysliman turk.
Top Channel