Qytetari u kap duke gërmuar dhe shpërdoruar tokën/ Procedohen penalisht 4 zyrtarë të Bashkisë së Fierit

13/11/2021 10:09

Katër zyrtarë të Bashkisë së Fierit janë proceduar penalisht, pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Kjo masë ndaj tyre është marrë, pas arrestimit të një shtetasi ditën e djeshme që u kap duke gërmuar dhe shpërdoruar tokën për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme, gjë që ka sjellë prishjen e strukturës së tokës.

Dy të proceduar janë njeri Kryeinspektor dhe tjetri inspektor pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Patos, ndërsa dy të tjerët janë njëri Inspektor Kontrolli i Territorit në IVMT në Bashkinë Patos dhe një 58-vjeçare me detyrë Specialiste për Administrimin dhe Mbrojtjen e Tokës në Njësinë Administrative Zharrëz.

Top Channel ka siguruar pamje të tokës, që po punohej në mënyrë të paligjshme në anë të rrugës së fshatit Zharrëz.

Për ndërtimin e një pike karburanti është  gërmuar në kodrat e Zharrëzës duke dëmtuar dhe shpërdoruar tokën. Gërmimi ka sjellë edhe prishjen e strukturës së tokës.

“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme mbi arrestimin në flagrancë të shtetasit S. T. i cili u kap nga shërbimet e Policisë, duke gërmuar dhe shpërdoruar tokën për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme, gjë që ka sjellë prishjen e strukturës së tokës, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit:

Amarildo Gushi, 31 vjeç, banues në Patos, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Patos.

Xhuljano Collari, 27 vjeç, banues në Patos, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Patos.

Dashnor Lamcaj, 63 vjeç, banues në Patos, me detyrë Inspektor Kontrolli i Territorit në IVMT në Bashkinë Patos.

Lindita Peta, 58 vjeçe, banuese në Patos, me detyrë Specialiste për Administrimin dhe Mbrojtjen e Tokës në Njesinë Administrative Zharrëz”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA