Një grua pjesë e stafit të presidentit Macron dyshohet se është përdhunuar pas një feste

13/11/2021 17:45

Prokurorët francezë kanë nisur hetimet në lidhje me një rast përdhunimi që dyshohet të ketë ndodhur brenda stafit të sigurisë së presidentit Emmanuel Macron.

Mësohet se një grua, pjesë e stafit të sigurisë, të jetë përdhunuar pas një feste nga një koleg i saj.

Sulmi i supozuar ndodhi në muajin korrik.

Mediat franceze shkruajnë se festa, e cila mbahej për nder të daljes në pension të një gjenerali francez filloi në Pallatin Elysee, ku vetë presidenti francez mbajti një fjalim në nderim të tij dhe u largua rreth orës 22:00.

Një pjesë e stafit të sigurisë u larguan më pas nga Elysee për të festuar në ambientet e stafit personal të presidentit në Rue de l’Elysee, në një rrugë ngjitur. Pikërisht aty, dyshohet se ka ndodhur edhe sulmi.

Sipas Liberation, dy ushtarakët, viktima dhe sulmuesi, ishin kolegë dhe punonin për zyrën e sigurisë së lartë në Pallatin Elysee dhe merreshin më çështje të rëndësishme qeveritare, shumica prej tyre të klasifikuara si tepër sekret.

Gazeta raportoi se gruaja u paraqit menjëherë në stacionin më të afërt të policisë dhe denoncoi ngjarjen. Hetimet vazhdojnë.

Top Channel