Greqi, kufizohet hyrja në dyqane/ Një person në 9 metra katror, infektimet rriten me shpejtësi

13/11/2021 20:57

Greqia rikthen masat e kufizimit të klientëve në supermarkete dhe dyqanet e mëdha ushqimore. Një vendim qeveritar i publikuar orët e fundit parashikon që nga mëngjesi i sotëm deri më 22 nëntor minimizohet hyrja e klientëve dhe respektohen distancat dhe prania e një personi për 9 metra katror në dyqanet ushqimore si supermarkete, minimarkete, furra buke,dyqane mishi, peshku, pastiçeri, kantina vere etj.

Masat e reja vijnë vetëm një javë pasi autoritetet vendosën kufizime më të rrepta për personat e pavaksinuar, si pjesë e përpjekjeve për të frenuar valën e katërt të koronavirusit. Të pavaksinuarit tashmë paraqesin testet negative që kryejnë detyrimisht dy herë në javë kur hyjnë në ambiente të brendshme publike si banka, dyqane ,ndërtesa qeveritare, restorante e bare.

Masat e reja për kufizimin e hyrjes në supermarkete vijnë pasi brenda një javë numri i rasteve ditore në Greqi është rritur me 50% dhe infektimet aktive janë gati 50000. Në 24 orët e fundit përsëri pas 200.000 testeve ditore janë regjistruar gati 6900 raste me covid, 55 humbje jete dhe numri I te intubuarve ka shënuar rekord te ri duke shkuar ne 508 pacientë.

Në të gjithë vendin mjeket e spitaleve shtetërore kërkojnë ndihmë nga qeveria pasi një pjesë e mirë e personelit mjekësor që nuk është vaksinuar është pushuar përkohësisht nga puna. Gjithashtu numri i mjekëve nuk mjafton, kapaciteti i dhomave të intubimit është 100%, ka shumë pacientë që intubohen në dhoma të zakonshme spitalore, ndërsa janë regjistruar edhe raste vdekjeje për persona që nuk kanë mundur të marrin ndihmën e aparateve të oksigjenit.

Megjithë një tendence të rritjes së vaksinimeve, si rezultat i masave apo numrit të lartë të vdekjeve dhe infektimeve, përsëri më shumë se 30% e të rriturve janë ende të pavaksinuar. Gjithashtu nga 27 vendet e BE, Greqia ndodhet tek nëntë shtetet e kategorisë që kosniderohet si tepër shqetësuese në lidhje me valën e katërt të pandemisë, përkrah Bullgarisë, Holandës e Kroacisë.

Top Channel