Në një kohë kur shumë njerëz në Maqedoninë e Veriut ende po përpiqen të kuptojnë përse kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqjen pas disfatës në zgjedhjet lokale, vendi u përball këto ditë me zhvillime të vrullshme.

I bindur në mbështetjen e tre partive shqiptare, një prej të cilave, Lëvizja BESA pjesë e koalicionit qeverisës, kreu i VMRO DPMN-se, Hristijan Mickoski krijoi një situatë triumfi duke pretenduar se kishte tashmë shumicën në parlament.

Kur Zaevi vendosi ta shtynte dorëheqjen, ata paraqitën një mocion mosbesimi, por euforia do të venitej shpejt. Ndryshe nga sa mund të pritej, LSDM-ja gjatë kësaj kohe, ruajti qetësinë.

Në ditën e votimit, Kastriot Rexhepi i Besës, vota e të cilit ishte vendimtare për arritjen e kuorumit, nuk gjendej gjëkundi. Ai nuk i përgjigjej telefonatave e as trokitjes së kolegëve në derën e shtëpisë, çka bëri të flitej për rrëmbim.

Kreu i partisë së tij e raportoi mungesën edhe në polici, por Rexhepi vetë nxori më pas një postim në Facebook ku thoshte se kishte ndryshuar mendje dhe nuk do të merrte pjesë në seancë.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti reagoi me një ton ngadhënjyes ndaj dështimit të opozitës në përpjekjen e saj për të rrëzuar qeverinë, duke shkruar në rrjetet sociale: “Siç ju thashë, nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori. Bashkë përgjithmonë!”.

E gjithë kjo situatë e forcon edhe më shumë Zoran Zaevin, thotë BIRN.

Rexhepi, sipas saj supozohet se do t`i bashkohet radhëve të qeverisë.

Pritshmëritë tani janë që koalicionit qeverisës t`i afrohet edhe partia e vogël shqiptare Alternativa, duke i çuar numrat e mazhorancës në 64 e mbase edhe 65 deputetë në parlamentin 120 vendesh të Maqedonisë Veriore.

Top Channel