Vala e rritjes së çmimeve në tregjet globale do të vazhdojë të japë efektet edhe në Shqipëri, duke prekur drejtpërdrejt buxhetet e konsumatorëve por dhe vetë bizneset.
Edhe pse vlerëson se ky shtrenjtim i çmimeve është i përkohshëm, banka qendrore shton se presionet inflacioniste janë shtuar së fundmi veçanërisht prej rritjes së çmimit të naftës, energjisë si dhe produkteve ushqimore.
Në një studim të kryer nga banka mbi efektet që do të ketë rritja e tyre në inflacion në tremujorët e ardhshëm, vlerësohet se shtrenjtimi i naftës do të ndikonte me 0.5% përgjatë tre muajve të fundit të këtij viti dhe në tremujorin e parë të vitit 2022.
Rritja e çmimeve të ushqimeve të përpunuara që vlerësohet të arrijë pikun në tremujorin e katërt të këtij viti, do të rezultonte me një efektet prej 0.8 pikë përqindje në inflacion sipas Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa shtrenjtimi i energjisë në vend do të varet nga rritja e çmimit për biznesin e madh, që indirekt mund të rrisë çmimet e mallrave e shërbimeve për konsumatorët, diçka që për ekspertët e ekonomisë është e pashmangshme pasi çdo rritje kostosh për ta do pasqyrohet në çmim.
“Nëse kompanitë nuk do të jenë në gjendje që të përthithin një pjesë të këtyre kostove të shtuara sigurisht që niveli i çmimit do të rritet në proporcion me masën e energjisë që mishërohet në produkt. Kjo është logjika më e thjeshtë. Ndërsa kompanitë që nuk do të arrijnë që ta transmetojnë këtë efekt te konsumatori, sigurisht që efektet do të çojnë dhe në mbyllje të këtyre segmenteve të biznesit. Kjo zgjidhet duke mbështetur grupet në nevojë dhe që mund të ofrohet për ta jo vetëm kompensime në natyrë, por duke i kompensuar edhe një sasi të caktuar të furnizimit me energji elektrike edhe nga pjesa tjetër e shoqërisë.” Selami Xhepa, ekspert për ekonominë.”
Megjithatë, pavarësisht shtrenjtim të fortë të çmimeve norma e inflacionit në Shqipëri vijon të mbetet nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%, pasi edhe në tetor preku nivelin e 2.5%. Referuar edhe projeksioneve globale çmimet e energjisë, naftës dhe ushqimeve pritet të ndjekin një trend ngadalësues përgjatë tremujorit të dytë 2022 teksa këto dy të fundit pritet të jenë kalimtare.
Kjo rritje e çmimeve muajt e fundit i ka bërë konsumatorët veçanërisht, por edhe bizneset më pesimistë për të ardhmen, diçka që e konfirmon edhe vetë Banka e Shqipërisë sipas të cilës besimi në ekonomi u ul në tetor për të tretin muaj radhazi.
Top Channel