Falja e gjobave dhe mosasgjësimi i produkteve ushqimore në treg janë shkeljet kryesore që KLSH ka evidentuar në auditimin e AKU për qarkun Tiranë.
Kjo agjenci ka sjellë dëme ekonomike në Buxhetin e Shtetit me gjobat që nuk ka arkëtuar, ndërsa evidenton dhe raste kur shumë prej tyre janë falur ose nuk janë ndjekur hapat e duhur administrativë. Vlera e këtyre dëmeve shkon deri në 96 milionë lekë.
Ndërkohë KLSH kritika të forta ka edhe për sigurinë ushqimore. Sipas saj AKU, me mosveprimet e saj nuk ka tërhequr nga tregu produkte që janë vërtetuar me lëndë të dëmshme për shëndetin. Bëhet fjalë për produkte kryesisht si mishi, vaji i ullirit, gjalpi, për të cilat analiza laboratorike kanë vërtetuar se përmbajnë lëndë për të cilat konsumatori nuk ka qenë i informuar. Në shumë raste të tjera edhe pse produktet janë sekuestruar mungojnë dokumentat e asgjësimit.
Në 3 raste janë lejuar dhe futja e produkteve të importit nga dogana e Qafë Thanës dhe Durrësit me mallra të cilët kanë pasur lëndë të dëmshme. Bëhet fjalë për 42 ton yndyrë vegjetale dhe 20 ton djath, të cilat kanë hyrë në vendin tonë pa dokumentacionin e duhur dhe specifikimin e vendit të origjinës.
Top Channel